Muhamed Elmazi – përfaqësues i VLEN
Danella Arsovska nuk është e vetme.
Ajo nuk është një fenomen i izoluar, por një produkt dhe vazhdimësi e një sistemi të vjetër, një regjimi që ende merr frymë përmes hijes së vet, përmes drejtorëve, këshilltarëve dhe aleatëve të saj. Funksionarët e BDI-së janë pjesë e atij sistemi.
BDI është pjesë e pushtetit në Qytetin e Shkupit në të gjitha nivelet. BDI është përgjegjëse pse ka lejuar për herë të dytë vendosjen e përmendores së Andon Qoses.
Vendosja e përmendores së Andon Qoses nuk është as gabim i rastësishëm as gabim i izoluar, është vazhdimësi e politikave që ndajnë, fyejnë dhe poshtërojnë Shkupin si një qytet multietnik dhe modern.
Mos ta harrojmë: hera e parë që kjo përmendore u vendos ishte në kohën kur Nikolla Gruevski ishte kryeministër, ndërsa Blerim Bexheti dhe Bujar Osmani ishin ministra të tij, të bindur, besnikë dhe të heshtur për çdo hap që përbënte provokim ndaj komuniteteve të tjera etnike.
Sot po shohim të njëjtën skenë, me të njëjtët aktorë.
Dje, Nikolla Gruevski nuk e përmbajti veten dhe publikisht u mburr me përmendoren dhe u vetëuroi për “vizionin e tij politik”. Kjo nuk është rastësi. Kjo është dëshmi se pushteti aktual i Qytetit të Shkupit, i udhëhequr nga Danella Arsovska, është vazhdimësi e të njëjtës linjë ideologjike, e të njëjtit regjim – regjim në të cilin BDI gjithmonë ka qenë pjesë dhe gjithmonë ka heshtur.
Në qytetin e Shkupit, Danella Arsovska nuk udhëheq e vetme.
Ajo ka kabinet, drejtorë dhe funksionarë. Një pjesë e madhe e tyre janë kuadro të BDI-së. Ata nuk janë vëzhgues të heshtur, por pjesëmarrës aktivë në sistemin që lejoi vendosjen përsëri të një përmendoreje që fyen shpirtin e bashkëjetesës.
Prandaj:
BDI për herë të dytë merr pjesë në vendosjen e përmendores së Qoses.
BDI duhet tu bëj thirrje drejtorëve të saj në qytetin e Shkupit që të japin dorëheqje morale si shenjë mospranimi të plotë të vendosjes së përmendores së Qoses.
BDI duhet ta ndërpresë mbështetjen ndaj Danella Arsovskës, e cila vazhdon të bëjë provokime ndëretnike dhe përpjekje për destabilizim.
I bëjmë thirrje publike të gjithë drejtorëve dhe funksionarëve të BDI-së në Qytetin e Shkupit që të japin dorëheqje.
Ky është veprimi i vetëm moral që mund të ndërmarrin në shenjë solidariteti me të gjithë qytetarët që ndihen të fyer, përfshirë shqiptarë, turq, boshnjakë, por edhe maqedonas që besojnë në bashkëjetesë, respekt dhe një të ardhme të përbashkët.
U themi atyre:
Mos luani me ndjenjat e popullit për tri muaj pushtet. Ai pushtet tashmë ka përfunduar.
Është koha për përgjegjësi. Është koha për moral.