Kina ka arritur objektivin e saj përpara afatit për përdorimin aktual të investimeve të huaja direkte gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025), deklaroi të premten në një konferencë për shtyp, Ling Ji, zv.ministër i Tregtisë, shkruan “Xinhua”.

Deri në fund të qershorit, përdorimi aktual i investimeve të huaja direkte nga Kina që nga viti 2021 kishte arritur në 708.73 miliardë dollarë amerikanë, duke arritur objektivin prej 700 miliardë dollarësh gjashtë muaj më herët, sipas Ling.

Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe u krijuan rreth 229.000 ndërmarrje të reja me investime të huaja, gati 25.000 më shumë se në periudhën e Planit të 13-të Pesëvjeçar (2016-2020).

“Ndërmarrjet me investime të huaja kontribuan me një të tretën e tregtisë së jashtme të Kinës, një të katërtën e prodhimit industrial me vlerë të shtuar dhe një të shtatën e të ardhurave tatimore. Ato kanë krijuar gjithashtu më shumë se 30 milionë vende pune gjatë kësaj periudhe”,- shtoi Ling, duke theksuar se vendi ka pasur përmirësim të dukshëm në cilësinë e përdorimit të kapitalit të huaj.

“Në vitin 2024, industritë e teknologjisë së lartë tërhoqën 34.6 për qind të investimeve të huaja, 6 pikë përqindje më shumë se në vitin 2020. Për të nxitur një mjedis të favorshëm për bizneset e huaja, Ministria e Tregtisë ka mbajtur më shumë se 30 takime në tryezë të rrumbullakët që nga viti 2023, duke ndihmuar në adresimin e mbi 1500 shqetësimeve për firmat e financuara nga të huajt”,- tha Ling.