Përmendorja e Qosetos/ VLEN kërkon që të gjithë drejtorët e BDI-së që shërbejnë në administratën e Qytetit të japin dorëheqje

Pas rivendosjes së përmendores së figurës kontroverse historike Andon Qoseto nga ana e Qytetit të Shkupit, Koalicioni VLEN kërkon që të gjithë drejtorët e BDI-së që shërbejnë në administratën e Qytetit të japin dorëheqje. Sipas VLEN-it, kryetarja e Shkupit Danella Arsovska është në koalicion të hapur me BDI-në, ndërsa funksionarët nuk janë vëzhgues të heshtur, por pjesëmarrës aktivë në sistem. Vendosja e përmendores së Qosetos, sipas VLEN nuk është as gabim i rastësishëm as gabim i izoluar, por vazhdimësi e politikave që ndajnë, fyejnë dhe poshtërojnë Shkupin si një qytet shumetnik dhe modern.
“BDI për herë të dytë merr pjesë në vendosjen e përmendores së Qoses. BDI duhet t’u bëj thirrje drejtorëve të saj në qytetin e Shkupit që të japin dorëheqje morale si shenjë mospranimi të plotë të vendosjes së përmendores së Qoses. BDI duhet ta ndërpresë mbështetjen ndaj Danella Arsovskës, e cila vazhdon të bëjë provokime ndëretnike dhe përpjekje për destabilizim. I bëjmë thirrje publike të gjithë drejtorëve dhe funksionarëve të BDI-së në Qytetin e Shkupit që të japin dorëheqje. Ky është veprimi i vetëm moral që mund të ndërmarrin në shenjë solidariteti me të gjithë qytetarët që ndihen të fyer, përfshirë shqiptarë, turq, boshnjakë, por edhe maqedonas që besojnë në bashkëjetesë, respekt dhe një të ardhme të përbashkët”, deklaroi Muhamed Elmazi – përfaqësues i VLEN