Peticion dhe thirrje për bojkot ndaj Coca-Colas në Maqedoninë e Veriut: Injorim i gjuhës shqipe dhe diskriminim ndaj konsumatorëve shqiptarë

Fushata më e fundit promocionale e Coca-Cola në Maqedoninë e Veriut “Ndaje një Coca-Cola” ka shkaktuar reagime të ashpra në rrjetet sociale dhe opinionin publik, për shkak të përjashtimit të plotë të gjuhës shqipe dhe emrave shqiptarë nga materialet promovuese. Qytetarët bëjnë thirrje për bojkot, ndërsa kanë filluar edhe një peticion ku kërkojnë përgjegjësi. Birraria e Shkupit hesht, shkruan Portalb.mk.
Aktivistja Lume Huseini e cila ka filluar peticionin, bën thirrje që Coca-Cola të përfshijë gjjuhën shqipe në kampanjat dhe produktet në Maqedoninë e Veriut.
“Thirrje për bojkot të produkteve Coca Cola-Maqedonia e Veriut, të prodhuara nga Birraria e Shkupit të cilat në suaza të fushatës ” Ndaje një Coca Cola” përmbajnë emra sllav dhe torbesh të shkruara me alfabet qirilik. Bilbordet që reklamojnë fushatën janë vetëm me emra sllav dhe alfabet cirilik. Web faqja ku promovohet fushata është vetëm në gjuhë maqedonase ndërsa organizimet ku konsumatorët mund ti japin propozimet e tyre bëhen vetëm në Shkup, Gjevgjeli, Dojran, Shtip, Strumicë dhe Manastir. Coca-Cola Maqedonia e Veriut injoron 24.03% të popullatës shqiptare dhe gjuhën shqipe e cila është gjuhë zyrtare në shtetin multietnik -Republika e Maqedonisë së Veriut”, thotë Huseini në një nga thirrjet në rrjetet sociale.
Ajo shtoi se në këtë mënyrë i 672,840 konsumatorë shqiptarë obligohen t’i bojkotojnë produktet Coca-Cola të Birrarisë së Shkupit e cila me këtë veprim skandaloz jo vetëm se e përbuz konsumatorin shqiptar po edhe shkel parimin e respektit të diversitetit të tregut dhe inkluzivitetit të cilën e promovon brendi ndërkombëtar Coca-Cola HBC.
Shishe të Coca-Colas. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Kjo thirrje për bojkot dhe peticioni kanë marrë përkrahje nga një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.
Qytetarët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga kompania Coca-Cola HBC dhe një qëndrim zyrtar lidhur me përjashtimin e shqipes dhe qytetarëve shqiptarë nga kjo fushatë.
Portalb.mk kërkoi qëndrim nga Birraria e Shkupit se pse kampanja e Coca-Colës është vetëm në maqedonisht dhe pse i diskriminojnë shqiptarët, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.
Ndryshe, fushatë e ngjashme pati edhe në vitin 2013 ku emrat shqiptarë ishin të përfshirë, si dhe u përdor edhe alfabeti latin krahas atij cirilik. Në atë kohë, nëpër shishe të Coca–Cola-s në tregun e Maqedonisë u shtypën edhe emra të zakonshëm shqiptarë.