Polonia do të vendosë kontrolle të përkohshme përgjatë kufijve me Gjermaninë dhe Lituaninë më 7 korrik, tha të martën kryeministri polak, Donald Tusk, duke e ndjekur rrugën e disa vendeve të tjera të BE-së që kanë marrë masa të tilla për ta luftuar migrimin e paligjshëm.
Qeveria liberale e Tuskut është akuzuar nga partitë nacionaliste opozitare për pranim të shumë emigrantëve të paligjshëm që janë dëbuar nga Gjermania. Qeveria ka argumentuar se ato shifra janë të kufizuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Debati për emigrantët në Poloni është bërë gjithnjë më i tensionuar javëve të fundit. Aktivistët e së djathtës ekstreme kanë filluar që të organizojnë patrulla përgjatë kufirit me Gjermaninë.
“Ne e konsiderojmë të nevojshëm rivendosjen e kontrolleve të përkohshme për t’i zvogëluar në minimum rrjedhat e pakontrolluara të emigrantëve përgjatë kufirit polako-gjerman” – tha Tusku në një takim qeveritar.
Gjermania tha në shkurt se do ta zgjaste afatin e kontrolleve të saj kufitare edhe për gjashtë muaj.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha të martën se vendi i tij dëshiron që ta ruajë skemën Schengen për kufij të hapur, me të cilën lejohet lëvizja pa pasaporta, por se kjo mund të funksionojë vetëm nëse nuk keqpërdoret nga kriminelët që trafikojnë emigrantë.
“Ne dimë se qeveria polake gjithashtu dëshiron të vendosë kontrolle kufitare me Lituaninë me qëllim të kufizimit të kalimeve të paligjshme të kufirit nga Lituania në Poloni. Pra, ne kemi një problem të përbashkët këtu që duam ta zgjidhim së bashku” – tha kancelari Merz në një konferencë për gazetarë.