Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është deklaruar sot për ngërçin politik, pikën e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin, duke thënë se një procedurë e tillë lejohet, por duhet të ketë konsensus.

Osmani tha se nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, do t’i drejtohet me kërkesë për sqarim.

“Lejohet si mundësi por duhet me pas vendim të seancës, të pyeten deputetët”, tha Osmani pas ceremonisë së betimit të kadetëve të rinj të FSK-së.

“Nuk pres që do të ketë diçka të tillë. Unë planifikoj, në qoftë se nuk ka konstituim të Kuvendit shumë shpejt, që t’i drejtohem Gjykatës me kërkesë për sqarim, lidhur me atë se çka pas 30 ditësh, sepse dua të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh”, tha presidentja.