Në seancën e sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë, Natasha Pop Trajkova dhe Katerina Kolareviç u zgjodhën unanimisht si prokurore të reja publike në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Për të dyja pozitat konkurruan gjashtë prokurorë, Natasha Pop Trajkova, Katerina Kolareviq, Aleksandar Markoski, Dejan Petreski, Zoran Markoski dhe Ana Stojkoviq Dimitrovska.

Këshilli mori vendimin pas një vlerësimi paraprak të kualifikimeve profesionale të kandidatëve.

Në seancën e sotme, prokurorët Darko Jakimovski dhe Vladimir Milloseski u zgjodhën si prokurorë të rinj në Prokurorinë e Lartë Publike të Shkupit.

Në garë për këto dy pozita, përveç Jakimovskit dhe Millosheskit, ishin edhe prokurorët Aleksandar Markoski, Marija Gjorgeva, Sanja Burjakoska Kitanovska, Zoran Markoski, Lubomir Lape, Jasmina Kosteska Zdraveska dhe Spasenka Andonova.

Raporti vjetor i punës së Prokurorive tregoi se gjatë vitit 2024, Prokuroria Publike e RMV-së u përball me mungesë të theksuar të stafit, pasi janë të plotësuara vetëm 64,7% e pozicioneve të prokurorëve dhe 1/3 e vendeve të nevojshme për shërbimin ndihmës. Kapacitetet hapësinore janë të pamjaftueshme dhe të amortizuara, ndërsa sistemi elektronik për menaxhimin e lëndëve është i vjetërsuar, duke kërkuar zëvendësim urgjent përmes një projekti të ri të financuar nga IPA III, i cili nëse shteti nuk ndan një pjesë të shumës, është i rrezikuar. Pajisjet IT janë kryesisht të vjetra, me mbi 200 kompjuterë më të vjetër se 10 vjet. Trajnimi dhe zhvillimi profesional i stafit mungon për shkak të fondeve të pamjaftueshme, duke rrezikuar funksionimin efikas të institucionit.