Prokurori publik në detyrë ka inspektuar vendin e ngjarjes në Batincë, ku sot ndodhi një vrasje me armë zjarri që përfundoi me humbjen e jetës së një pjesëtari të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Prokurorit Publik, janë lëshuar urdhra dhe udhëzime për mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes, ndërsa autori i dyshuar është tashmë i identifikuar, por ndodhet në arrati dhe është shpallur në kërkim.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:55 të mëngjesit, kur një burrë 49-vjeçar u dërgua pa shenja jete në Spitalin e Qytetit, me dy plagë në gjoks, të shkaktuara nga armë zjarri, pas një shkëmbimi zjarri në fshatin Batincë, në afërsi të Shkupit.

Ushtria e Republikës së Maqedonisë së Veriut (URMV) ka konfirmuar se viktima, me inicialet A. M., ishte pjesëtar i forcave të armatosura.

Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet kanë paralajmëruar ndjekjen penale të autorit të dyshuar sapo të lokalizohet.