Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dodë Ricës, i cili akuzohej për veprën penale të trafikimit me njerëz, duke e dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Sipas vendimit të gjykatës, Ricës do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, ndërsa masa e paraburgimit do t’i vazhdohet deri në plotfuqizimin e këtij vendimi gjyqësor.

Përveç dënimit kryesor, gjykata e ka detyruar Ricën që të paguajë paushallin gjyqësor prej 200 euro dhe 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndërkohë e akuzuar është edhe Ana Gjoshi, por gjykata ka veçuar procedurën penale ndaj saj, pasi që e njëjta gjendet në arrati.

Sipas aktakuzës së siguruar nga Insajderi, Gjoshi siguronte kontaktet me gratë përmes rrjeteve sociale, dhe pasi u dërgoheshin ftesa nga partneri i saj, ato transportoheshin drejt Shqipërisë dhe më pas në Kosovë, shkruan Insajderi.

Me të mbërritur në Prishtinë, viktimave u merreshin pasaportat dhe u kufizohej liria personale, përfshirë edhe kohën kur mund të dilnin jashtë.

Nën presion, kontroll dhe kërcënime të vazhdueshme, ato detyroheshin të zhvisheshin në klub, të shkonin në dhoma private me klientë dhe të kryenin marrëdhënie seksuale. Pagesat për këto “shërbime” mblidheshin nga menaxhmenti i klubit, ndërsa gratë merrnin një përqindje të vogël, në shumë raste vetëm për të shlyer të ashtuquajturin “borxh të udhëtimit”.

Kush është Ana Gjoshi?

Ana Gjoshi është shtetase shqiptare, rreth të tridhjetave, e cila ka vepruar si menaxhere e lokalit “Shqiponja Club” në Prishtinë. Në vend të një roli administrativ apo përkujdesës për punonjëset e klubit, Gjoshi akuzohet se ka qenë hallka kryesore që lidhte vajzat e rekrutuara me rrjetin e trafikimit, shkruan Insajderi.

Ajo mbante pasaportat e tyre, kontrollonte lëvizjet, dhe në shumë raste – sipas dëshmive të viktimave – i udhëzonte ose i detyronte të shkonin në dhoma me klientë.

Aktualisht, Ana Gjoshi ndodhet në arrati në Dubai, ndërsa ndaj saj ka një urdhër arresti ndërkombëtar. Ndërkohë, partneri i saj në këtë veprimtari, Dodë Rica, ndodhet në paraburgim në Kosovë, pas ekstradimit nga Shqipëria në vitin 2024.