Më 11 korrik, të premten, në Srebrenicë u varrosen edhe shtatë viktima të tjera të gjenocidit të vitit 1995 ndërsa e gjithë bota e civilizuar kujtonte 8.372 të vrarët nga pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe (RS), Ministrisë së Brendshme të RS dhe formacioneve paramilitare nga Serbia.

Megjithatë, në mbrëmje, përpara kishës në Srebrenicë u lëshua muzikë fyese për boshnjakët.

Pasi shumë mysafirë, delegacione ndërkombëtare, qytetarë dhe familje të pikëlluara u larguan nga Srebrenica, pasoi ajo që tashmë është bërë rutinë – një furi provokimesh me qëllime të qartë: të shqetësohen boshnjakët në Srebrenicë, të dërgohen mesazhe urrejtjeje dhe të festohet gjenocidi i kryer.

Ashtu si vitet e kaluara, mbrëmë nga altoparlantët përpara kishës u transmetua “muzika” e Baje Malog Knindzhe, ku në mënyrat më të tmerrshme fyhen boshnjakët, madhërohen krimet dhe bëhen thirrje për dëbim.

Nënkryetari i Republikës Serbe, Çamil Durakoviq, ndau një nga incizimet.

“‘Ky popull do të jetojë, edhe pas ustashëve, sepse edhe Zoti është serb, qiejt janë tanët’ – në përvjetorin e tridhjetë të gjenocidit në Srebrenicë, fqinjët tanë, sonte para kishës në qytet, për të disatën herë na tregojnë se në çfarë balte civilizimi po rrokullisen. Eh, zotërinj, me këtë jetojnë boshnjakët e Srebrenicës më 11 korrik, pasi delegacionet të jenë shpërndarë nën sirenat e veturave zyrtare”, shkroi Durakoviq.

Ndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ishte në Srebrenicë për të përkujtuar viktimat e gjenocidit serb.