Reagim nga zv/ministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha
Fillimisht një sqarim: nuk bëhet fjalë për punësime të reja, por për avancime të brendshme të stafit ekzistues në Ministrinë e Bujqësisë.
Dhe për ta bërë edhe më qartë:
Unë jam në detyrë vetëm tre javë. Këto janë procedura që janë nisur shumë kohë më parë – kur përgjegjës për sektorin ishte dikush tjetër.
Si përfaqësues i VLEN në këtë institucion, jam i vetëdijshëm për padrejtësinë që u është bërë shqiptarëve ndër vite në Ministrinë e Bujqësisë dhe nuk do të jem pjesë e heshtjes.
Ka qenë detyrë e ish-zëvendësministrit, që për gati një vit kishte përgjegjësinë për këtë dikaster, që të analizonte strukturën e stafit dhe të niste procedurat e avancimit për të punësuarit shqiptarë. Nuk e ka bërë. As që është shqetësuar. Është mjaftuar vetëm me emërimin e një shoferi personal.
Sot në ministri ke shqiptarë që punojnë prej 10-15 vitesh me titullin “pomlad sorabotnik”, sepse kështu i ka lënë BDI-ja e Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit, partnerët më të rinj të z. Arben Taravari.
Dhe meqë Flakron Bexheti dhe bashkëpartiakët tanë të djeshëm, që tani janë kthyer në bashkëpartiakë të BDI-së, janë kujdesur gjatë këtij viti të sabotojnë çdo përpjekje për barazi në punësim dhe avancim në institucionet shtetërore, po u jap një lajm të mirë:
Ua kemi prishur planet!
Së shpejti, në Ministrinë e Bujqësisë do të fillojnë punë 20 shqiptarë të rinj, përmes procedurave të rregullta dhe të merituara.
Gjithashtu, brenda këtyre tre javëve, kam detektuar edhe problemin sistematik të neglizhencës ndaj administratorëve shqiptarë. Shumë shpejt do të nisim procedurat konkrete për avancimin e tyre të ligjshëm dhe të merituar.
Të tjerët kanë pasur vite për të vepruar. Ne do të kemi rezultate në pak javë.
Spinat e frontmenëve nuk na dekurajojnë. Përkundrazi, na motivojnë.
Po punoj me ndershmëri, do të vazhdoj me përkushtim, dhe nuk do të hesht përballë asnjë padrejtësie.