Plani i ri megaloman i Shtabit të Përgjithshëm rus!
Sipas blogerëve rusë, ky plan synon që të vihet nën kontroll një pjesë e madhe e Ukrainës brenda këtij viti, duke i ndërprerë Ukrainës qasjen në Detin e Zi. Por edhe vetë blogerët pro luftës të Putinit kanë dyshime për suksesin e kësaj super-operacioni.
Sipas kanalit privat në Telegram “Razvedchik” (“Zbuluesi”), Shtabi i Përgjithshëm rus i ka paraqitur Vladimir Putinit një plan për një ofensivë që do të nisë “në gjysmën e dytë të verës” së vitit 2025.
Ndërkohë, kanali i blogerit nacionalist Maksim Kalashnikov raporton, duke iu referuar burimeve të supozuara në udhëheqjen ushtarake ruse: “Propozohet që ushtria të lirohet nga detyrat e mbrojtjes kufitare, pasi 30.000 ushtarë të Koresë së Veriut të trajnuar për këtë, do t’i zëvendësojnë ata”.
Diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong-un kishte informuar zyrtarisht rreth një javë më parë rreth dërgimit të 30.000 ushtarëve të tjerë për mbrojtjen e Rusisë.
Sipas blogerit rus, “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm e ka informuar personalisht presidentin (Putinin) për gatishmërinë për një fazë të gjerë të operacionit gjatë muajve në vijim, me zgjerim përtej territoreve të reja (Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson)”.
Ushtria ruse i ka propozuar Putinit që “me një depërtim të thellë në rajonet Sumy, Kharkiv dhe Dnipropetrovsk deri në fund të verës të krijohet një zonë tampon” për të mbrojtur rajonet e aneksuara në lindje dhe jug të Ukrainës nga kundërsulmet.
“Dokumenti përfshin edhe plane për të arritur në Odesa,” raporton Kalashnikov duke iu referuar burimeve të tij.
Dhe: Koha për realizimin e operacionit është e kufizuar, shkruan blogeri rus. Ai shton: “Shtabi i Përgjithshëm i propozon presidentit të zgjerojë zonën e kontrollit sa më shumë që të jetë e mundur përpara se të fillojnë shirat e vjeshtës, pasi rrugët e mbuluara me baltë do ta vështirësonin përdorimin e pajisjeve ushtarake dhe do ta detyronin palët të kalonin në një luftë pozicionesh”.
Por: Maxim Kalashnikov, i cili së bashku me ish-agjentin e FSB-së të burgosur nga Putini, Igor Girkin, ka themeluar “Klubin e patriotëve të zemëruar”, shprehet shumë skeptik nëse një operacion i tillë mund të ketë sukses.
Ai shkruan: “Edhe nëse 30.000 koreanë të veriut zëvendësojnë rojet tona kufitare, një ofensivë e madhe (duke përfshirë kalimin e Dnipros!) nuk do të funksionojë. Çështja e paralizimit të prapavijës së forcave të armatosura të Ukrainës përmes një operacioni ajror nuk është zgjidhur.”
Përfundimi i tij: “Epërsia jonë numerike nuk e zgjidh problemin. Ne nuk e kemi rregulluar forcat tona ajrore dhe për këtë arsye nuk arrijmë të izolojmë zonat lokale të luftimeve.”