Ashtu siç kishte raportuar Alsat tashmë prej disa javësh, Qeveria i dha sot në seancë dritë jeshile ligjit për medresenë me çka medresantët do të mund të regjistrohen në të gjithë universitetet e vendit, me kushtin e vetëm atë të nënshtrimit të provimit të maturës shtetërore. Sipas zgjidhjes ligjore, shkollat fetare, Shkolla e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” – Shkup si dhe ajo Teologjike Ortodokse Maqedonase “Shën Klimenti i Ohrit” – Shkup
Do të përshtatin planprogramet e tyre mësimore të gërshetuara me ato të gjimnazit dhe atë fetar të bazuar në statusin e tyre si shkolla fetare. Miratimi i ligjit për medresenë është fitore për arsimin dhe identitetin tonë, ka shkruar në facebook zv.Kryeministri Mexhiti
“Ky vendim i hap rrugë funksionimit të rregullt dhe të ligjshëm të një Institucioni të rëndësishëm arsimor, që vepron në përputhje me standardet shtetërore dhe kushtetuese të arsimit të mesëm. Medreseja “Isa Beu”, me qendër në Kondovë dhe degë në disa qytete të vendit, do të vazhdojë misionin e saj edukues për gjenerata të reja, duke respektuar parimet e bashkëjetesës, profesionalizmit dhe barazisë në arsim. Ky është një hap i rëndësishëm për konsolidimin e të drejtave arsimore dhe kulturore, dhe një konfirmim i vullnetit politik për t’i dhënë zgjidhje çështjeve që prekin drejtpërdrejt komunitetin!”, tha Izet Mexhiti, Zv.Kryeministër i Parë.
Sipas ligjit të miratuar, parashihet që Byroja për Zhvillimin e Arsimit të jetë ombrella e përputhshmërisë së planprogrameve të shkollave fetare. Ndërkohë është lënë e hapur mundësia e veprimit retrokativ të këtij ligji./