Kur lufta ishte drejt fundit, një qytet i vogël japonez u dogj nga një sulm që shumë njerëz e quajnë të panevojshëm. Kumagaya u shkatërrua natën e 14 gushtit 1945 nga bombat me napalm (lëndë me fuqi të madhe djegëse) të avionëve amerikanë, vetëm pak orë para dorëzimit të Japonisë. Dhimbja e asaj nate jeton ende në kujtimet, plagët dhe trashëgiminë e të mbijetuarve.
Tetëdhjetë vjet më vonë, plagët nga bombardimi i fundit amerikan në një qytet japonez janë ende të dukshme — në lëkurën e një burri që ende jeton pak metra larg vendit ku qindra njerëz humbën jetën, në sipërfaqen e një statuje të një murgu të nderuar budist dhe në kujtimet e atyre që panë qytetin e tyre të shndërrohej në hi për vetëm disa orë.
Gjatë natës mes 14 e 15 gushtit të vitit 1945, rreth 90 avionë ushtarakë amerikanë hodhën afërsisht 6.000 tonë napalm (lëndë me fuqi të madhe djegëse) mbi qytetin Kumagaya, në Japoni. Zjarret që shpërthyen, me temperaturë nga 800 deri në 1.200 gradë celsius, lanë të paktën 260 njerëz të vdekur, plagosën rreth 3.000 të tjerë dhe lanë thuajse 75% të qytetit me 47.000 banorë të shkatërruar.
Avioni i fundit amerikan që mori pjesë në këtë sulm fluturoi larg nga Kumagaya më pak se 12 orë para se zëri i perandorit Hirohito të dëgjohej në radio, duke shpallur dorëzimin pa kushte të Japonisë.
Kazumi Yoneda, që tani banon në Kumagayas, lindi atë ditë, pak kohë para se të fillonte bombardimi. Në vitin 2020, ajo botoi një libër me poezi me titull “Dita kur linda”, ku shpjegon përjetimet e nënës së saj atë ditë.
Duke pritur thirrjen “Uttah”
“Askush nuk dëshiron të vdesë në momentet e fundit të një lufte”.
Këto fjalë i tha gazetari i “New York Herald Tribune”, Homer Bigart, i cili ndodhej në njërin prej bombarduesve të fundit B-29 që goditi qytetin japonez, Kumagaya.
Ishte një mision që komandantët amerikanë e kishin të vështirë t’ua justifikonin ekuipazheve ajrore, shkroi Bigart.
Pesë ditë më parë ishte hedhur bomba e dytë atomike në Nagasaki, duke vrarë gati 46 mijë veta. Tri ditë para kësaj, më 6 gusht, shpërthimi atomik në Hiroshima kishte vrarë rreth 70 mijë njerëz përnjëherë.
Dorëzimi i Japonisë pritej së shpejti dhe ekuipazhet e bombarduesve nuk kishin fluturuar për pesë ditë – “një armëpushim i pasigurt”, siç e quajti Bigart.
E tani po u kërkohej të rrezikonin jetën duke bombarduar atë që ai e përshkroi si “një qytet i vogël, me pak rëndësi”.
Por në një mbledhje para misionit, komandantët thanë se Kumagaya kishte një stacion hekurudhor të rëndësishëm dhe punishte që prodhonin pjesë për avionë – pra, objektiva ushtarake të ligjshme.
“Kjo duhet të jetë goditja e fundit që do të mbyllë luftën”, u tha pilotëve komandanti, kolonel Carl Storrie, sipas Bigartit. “Hidhni bombat saktë, që nesër bota të ketë paqe”.
Dhe në rast se dorëzimi i Japonisë shpallej gjatë fluturimit të tyre drejt Kumagayas, ekuipazhet e B-29 u urdhëruan të dëgjonin radion për fjalën “Utah.” Kjo do të nënkuptonte se Japonia ishte dorëzuar dhe ata mund të ktheheshin në Guam.
Por ajo fjalë nuk erdhi kurrë dhe vonë natën e 14 gushtit 1945, filloi sulmi i fundit ajror i Luftës së Dytë Botërore.
Zjarr e shi
Kazue Hojo ishte 7 vjeçe kur Kumagaya u dogj. Ajo jetonte me familjen e saj në një shtëpi, duke pasur një fëmijëri mjaft të lumtur, pavarësisht vështirësive që kishte sjellë lufta — që kishte filluar qëkur Japonia kishte pushtuar Kinën, para se ajo të lindte.
Në një pasdite të qershorit, ajo ndau disa foto të fëmijërisë së saj me CNN-in. Ndërsa ekipi i CNN bashkë me të u ul në shtëpinë e Shoichi Yoshidas, drejtor joekzekutiv i një grupi qytetar që mban gjallë kujtimet e bombardimeve, ajo për herë të parë foli për mediat për atë natë të tmerrshme.
Kur nisën bombardimet, ajo iku me nënën, motrën 5-vjeçare dhe vëllain 2-muajsh në krah, duke vrapuar drejt një dige pranë hekurudhës, duke shmangur bombat ndezëse që ajo tha se “binin si shi”.
Një copë predhe e goditi nënën në qafë. Në të njëjtën kohë, vëllai i saj, që nëna e mbante në shpinë, u dogj rëndë në ballë. Të dy mbetën me plagë dhe shenja që do t’i mbanin gjithë jetën.
Zjarret shpërthyen kudo. “Ishte dritë sikur të ishte ditë”, tha Hojo.
“Të gjithë dukeshin të lagur”, shtoi ajo, por nuk e dinte pse. A ishte shi? A ishte napalm? Apo ndoshta një përzierje e të dyjave?
Dëshira e një babai, dilema e të birit
Ishte një pasdite e nxehtë qershori kur ekipi i CNN-it filloi vizitë në Kumagaya, qytet me rreth 200.000 banorë, vetëm pak më shumë se një orë larg nga Tokio me tren. Në stacionin hekurudhor, një tabelë promovon arritjen më të njohur të qytetit sot: temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Japoni — 41.1 gradë celsius, më 23 korrik 2018.
Prej aty, Yoshida i çoi me makinë, për vetëm gjashtë minuta, në tempullin budist Sekijoji. Jashtë tempullit, një pemë japoneze është rritur përreth trungut të djegur në natën e 14 gushtit 1945.
Brenda ekipin e priti prifti kryesor 79-vjeçar, Tetsuya Okayasu, i cili i prezantoi me një statujë prej druri të Kobodaishit — një nga murgjit më të respektuar të Japonisë së lashtë — simbol i shenjtë i trashëgimisë shpirtërore dhe përkushtimit. Ana e majtë e fytyrës së statujës është e nxirë nga zjarri.
Okayasu shpjegon se kjo ishte një nga shtatë statujat e shenjta të tempullit dhe ishte e fundit që ndodhej brenda ndërtesës kur ajo u përfshi nga flakët për shkak të bombardimeve amerikane. Babai i tij rrezikoi jetën për ta nxjerrë jashtë — ndërtesa po shembej përreth tij në atë çast.
Pas luftës babai e fshehu statujën. Para se të vdiste, teksa ia kalonte përgjegjësinë të birit, i la dy amanete për statujën:
Së pari, ajo nuk duhej të riparohej kurrë.
“Statuja është një dëshmi e gjallë e bombardimit të Kumagayas”, i kishte thënë ai.
Së dyti, nuk duhej t’i tregohej publikut.
“Sepse është e dhimbshme të shihet në atë gjendje, njerëzit nuk duhet ta shohin ashtu”, i kishte kërkuar.
Okayasu e ka mbajtur premtimin e parë dhe për shumë vjet edhe të dytin, derisa drejtori i muzeut të paqes në Saitama i kërkoi ta ekspozonte. Okayasu u dorëzua.
Vizitorët e parë që e panë ishin të rinjtë që merrnin pjesë në një program edukimi për paqen. Ata panë me sytë e tyre dëshminë e tmerrit të luftës dhe se çfarë kishte ndodhur në Kumagaya shumë kohë përpara se të lindnin.
Statuja funksionoi — fëmijët filluan të bënin pyetje, disa u përlotën dhe, sipas drejtorit të muzeut, nisën ta kuptonin më mirë trashëgiminë e tyre.
“Ndërsa ndihem keq që po veproj kundër dëshirës së babait tim, kam vendosur që nëse njerëzit do të mësojnë për paqen, ata mund ta shohin statujën”, tha Okayasu me zërin që i dridhej.
Megjithatë, ai nuk e ekspozon vazhdimisht. Por e nxjerr për ata që kanë interes — ashtu siç bëri edhe për ekipin e CNN-it.
Kumagaya, bashkë me qytetin fqinj Isesaki, ishin qytetet e fundit që u dogjën nga bombat amerikane me zjarr, por këto ishin goditjet përmbyllëse të një fushate që kishte filluar në shkurt të vitit 1945.
Sulmet me zjarr ishin ideja e gjeneralit Curtis LeMay. Ai mori komandën e forcave të bombardimit në Paqësor pasi sulmet e mëparshme me bomba shpërthyese nga lartësia prej 9.000 metrash ishin joefektive për të shkatërruar makinerinë ushtarake japoneze.
Vetëm rreth 20% e objektivave goditeshin në ato sulme të para, dhe ekuipazhet fajësonin motin e keq dhe erërat e forta që devijonin bombat.
Plani i LeMay i tronditi shumë ata që ishin përfshirë në luftë.
Avionët B-29 do të fluturonin ulët, në lartësi prej 1.500 deri në 2.500 metra.
Ata do të mbanin bomba zjarrvënëse — bomba të vogla me napalm të vendosura në kapsula që shpërndaheshin gjerësisht kur binin në tokë.
LeMay besonte se këto bomba do të ishin ideale për të djegur shtëpitë dhe bizneset prej druri në Japoni — dhe u vërtetua shpejt që kishte të drejtë.
Në natën mes 9 dhe 10 marsit, një sulm në Tokio vrau 100.000 njerëz — sulmi ajror më vdekjeprurës në historinë njerëzore, me më shumë viktima se Hiroshima apo Nagasaki. Ai dhe sulmet që pasuan shkatërruan rreth 60% të qytetit, duke lënë një milion njerëz të pastrehë.
Qyteti më i goditur ishte Toyama, që më 1 gusht u shkatërrua 99%.
Kush është fajtor?
Edhe pse ishin dhjetëra avionë amerikanë B-29 që dogjën Kumagayan në vitin 1945, të mbijetuarit dhe të tjerë në qytet thonë se nuk ndiejnë urrejtje ndaj Amerikës.
Norihiro Ooi, kujdestare e bibliotekës së qytetit Kumagaya, thotë se qyteti ishte thjesht pa fat — në kohën e gabuar.
“Arsyeja pse Kumagaya u bë vendi i sulmit të fundit ajror ishte rastësi”, thotë Ooi.
“Nëse dorëzimi i Japonisë do të ishte shpallur më herët, ose negociatat për paqe do të kishin nisur më vonë, do të ishte goditur ndonjë vend tjetër. Një vend duhej të ishte i fundit që bombardohej”.
Por kjo nuk e ngushëllon shumë Hojon, tani 87 vjeçe dhe e mbijetuar nga sulmi.
Disa fajësojnë qeverinë perandorake japoneze.
Sipas tyre, pushtimi i Kinës që nisi në vitin 1931 hapi rrugën për Luftën e Dytë Botërore në Paqësor dhe shkatërrimin që do të sillte SHBA-ja dhe aleatët e saj.
Vitet e konfliktit krijuan një vrull që e bëri të pamundur ndalimin e luftës.
“Kur lufta arrin në atë pikë, arsyeja dhe ndërgjegjja nuk funksionojnë më”, thotë Yoshida, duke shtuar se sistemi i qeverisjes në Japoninë Perandorake nuk kishte mekanizma për të kufizuar fuqinë e ushtrisë.
Autorja dhe poetja Yoneda flet për vizitën e saj në Nanking, Kinë, si e rritur — vend ku trupat japoneze masakruan mbi 300.000 njerëz, ushtarë dhe civilë kinezë, si dhe përdhunuan dhjetëra mijëra gra, midis dhjetorit 1937 dhe shkurtit 1938.
Ajo thotë se kjo vizitë i dha një këndvështrim të ri për fatin e qytetit të saj.
“Në Japoni, fokusi është te dëmet që Japonia pësoi gjatë luftës, por unë mbeta e tronditur kur mësova për masakrën e Nankingut — një pjesë e historisë ku Japonia ishte agresori”.
Hojo dhe Yoneda mendojnë për amerikanët që ishin në ato B-29.
“Zemra e njeriut është e ndërlikuar — ne vuajtëm tmerrësisht, por edhe ata që na shkaktuan këtë dhimbje duhet të kenë vuajtur në mënyrën e tyre”, thotë Hojo.
“Kjo do të thotë se edhe ushtria amerikane ka pasur hezitime, apo jo?”, pyet Yoneda.
Vivian Lock ishte piloti i avionit të parafundit që bombardoi Kumagayan atë natë.
Në një shkëmbim letrash në vitin 2004 me të mbijetuarin Ken Arai, Lock dha një perspektivë nga ajri për atë që ndodhi.
“Kam ndier gjithmonë keqardhje për të gjithë njerëzit e pafajshëm që u vranë, u plagosën dhe për humbjen e shtëpive e pasurisë”, shkroi Lock, i cili vdiq në vitin 2010.
Në korrespondencën e tij, ai tregonte se gjatë fluturimit drejt Japonisë, ekuipazhet e B-29 mezi prisnin të dëgjonin fjalën e koduar “Uttah” — që do të nënkuptonte dorëzimin e Japonisë.
“Më shumë se një herë, heshtja në radio mes avionëve prishej me fjalët: ‘Ke dëgjuar gjë?’” shkroi Lock.
“Që do të thoshte se po shpresonin që lufta të kishte përfunduar…”.