Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, ka publikuar një memorandum kritik mbi situatën e të drejtave të njeriut të komunitetit rom dhe sfidat mjedisore në Maqedoninë e Veriut, pas një vizite zyrtare që zhvilloi në vend nga 22 deri më 25 prill 2025.
Në raportin e tij, O’Flaherty vlerëson angazhimin afatgjatë të autoriteteve, veçanërisht përmes Strategjisë Kombëtare për Përfshirjen e Romëve (2022–2030). Ai thekson rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile dhe grave rome, të cilat kontribuojnë në strukturat përkatëse për përmirësimin e kushteve të komunitetit.
“Vë në dukje progresin në aksesin në arsim për fëmijët romë, por shqetësohem për shkallën e lartë të braktisjes shkollore dhe mungesën e përfshirjes në arsimin parashkollor,” thuhet në memorandum.
Komisioneri veçanërisht thekson nevojën për të adresuar situatën e rreth 400 fëmijëve romë që jetojnë dhe punojnë në rrugë, si dhe të ndalohet ndarja e fëmijëve në shkolla, përmes zbatimit të planeve lokale për desegregim dhe hartëzimit kombëtar të shkollave të prekura nga segregimi.
Lidhur me sistemin e drejtësisë dhe veprimet e policisë, O’Flaherty ngriti shqetësime serioze për rastet e profilizimit etnik, përdorimin e tepruar të forcës dhe mungesën e ndëshkimit për dhunën ndaj romëve.
“Duhet të forcohen hetimet për këto raste, duke përfshirë edhe motivet e mundshme raciste,” rekomandon ai, duke kërkuar gjithashtu përmirësimin e Mekanizmit të Mbikëqyrjes së Jashtme.
Në pjesën që i kushtohet çështjeve mjedisore, Komisioneri përshëndet faktin që Kushtetuta njeh të drejtën për një mjedis të shëndetshëm dhe se vendi është zotuar të braktisë përdorimin e qymyrit. Por ai thekson se zbatimi i dobët i ligjeve mjedisore ka pasoja të drejtpërdrejta mbi shëndetin dhe të drejtat e qytetarëve, veçanërisht në Shkup, Manastir dhe Tetovë, të cilat përshkruhen si disa nga qytetet më të ndotura në Evropë.
“Angazhimet ligjore duhet të përkthehen në rezultate konkrete, në të kundërtën, mjedisi i ndotur vazhdon të minojë të drejtat themelore të qytetarëve,” paralajmëron Komisioneri.
O’Flaherty u bën thirrje autoriteteve që të forcojnë kapacitetet monitoruese, të përfshijnë komunitetet e prekura në procesin e vendimmarrjes, dhe të sigurojnë që reformat të mos mbeten vetëm në letër.