Real Madridi po përgatit një ofertë prej 100 milionë funtesh për mesfushorin e Manchester Cityt, Rodri, fitues i Topit të Artë, raporton The Sun.

Klubi spanjoll e sheh 29-vjeçarin si zëvendësuesin ideal për Toni Kroosin, boshllëku i të cilit ende ndjehet në mesfushën e “Los Blancos”.

Rodri ka kontratë me Manchester Cityn deri në verën e vitit 2027, por deri më tani ka hezituar të pranojë një zgjatje të saj.

Kjo ka nxitur spekulime për një largim të mundshëm, veçanërisht pasi verën e ardhshme ai do të hyjë në dy vitet e fundit të kontratës.

City ndodhet përballë një vendimi të rëndësishëm: ta rinovojë tani kontratën ose të konsiderojë shitjen për të shmangur rënien e vlerës së tij në treg më vonë.

Raportimet e fundit nga Anglia dhe Spanja thonë se klubi anglez po punon për ta mbajtur Rodrin, por Real Madridi është i gatshëm të përfitojë nga çdo pasiguri.

Gjigantët e La Ligës nuk do të synojnë një tjetër mesfushor nëse nuk arrijnë Rodrin, të cilin e shohin si përzierjen perfekte të lidershipit, mbrojtjes dhe vizionit në fushë.