Luis Diaz është kthyer në objektivin kryesor të Bayern Munich për krahun e majtë të sulmit, dhe klubi gjerman po punon intensivisht për të finalizuar transferimin këtë muaj.

Sipas ‘Sport Bild’, Bayern është optimist se mund ta përmbyllë marrëveshjen për kolumbianin 28-vjeçar brenda shtatë deri në dhjetë ditëve të ardhshme.

Liverpooli tashmë ka shprehur gatishmërinë për të negociuar, megjithëse kërkon një shifër që i afrohet 100 milionë eurove. Bayern nga ana tjetër nuk është i gatshëm të shkojë përtej 80 milionë eurove.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje e drejtpërdrejtë, të dy klubet mund të shqyrtojnë modele alternative transferimi, përfshirë bonuse dhe përqindje nga rishitja e mundshme e lojtarit në të ardhmen.

“Sport Bild” përmend mundësinë që Liverpool të ruajë një përqindje fitimi nëse Diaz transferohet më vonë në Arabinë Saudite apo ndonjë klub tjetër.

Në të njëjtën kohë, Bayern i ka ofruar Diazit një kontratë katërvjeçare me një pagë bruto vjetore prej 14 milionë eurosh, shumë më e lartë se paga aktuale prej më pak se tre milionë euro te Liverpooli.

Tashmë gjithçka varet nga dakordësimi mes klubeve, ndërsa lojtari është i hapur për një kalim në “Allianz Arena”.