Ish-trajneri i Al Hilal, Jorge Jesus, emërohet trajneri i ri i Al Nassr të Ronaldos

Pak minuta pasi Jorge Jesus mbërriti në Aeroportin Humberto Delgado të Lisbonës për të udhëtuar drejt Arabisë Saudite, Al Nassr e zyrtarizoi trajnerin portugez 70-vjeçar si trajnerin e ri të skuadrës.

Jesus ka firmosur për një sezon me Al Nassr dhe rikthehet kështu për të drejtuar një ekip saudit, pas eksperiencës me Al Hilal sezonin e kaluar, transmeton kp.

Ai zëvendëson Stefano Piolin në stolin e skuadrës ku luan edhe ylli portugez, Cristiano Ronaldo, disa muaj pasi u shkarkua nga Al Hilal.

Trajneri portugez do të fitojë rreth 12 milionë euro për një sezon në krye të Al Nassr.

Ende në Lisbonë në momentin e shpalljes zyrtare, Jorge Jesus foli për gazetarët në aeroportin Humberto Delgado dhe pranoi se Ronaldo luajti një rol vendimtar në transferimin e tij.

“Pa ftesën e tij, me siguri nuk do të isha aty,” u shpreh Jesus.

“Motivimi do të jetë i madh. Do të përpiqem që Al Nassr, një nga klubet më të mira në Arabinë Saudite, të fitojë trofe.

“Cristiano Ronaldo është një lojtar që ka fituar gjithçka në karrierë. Ende nuk ka fituar në Arabinë Saudite. Do të shoh nëse mund ta ndihmoj,” shtoi trajneri portugez, duke garantuar se komunikimi me CR7 është i lehtë.

“Flasim të njëjtën gjuhë, gjithçka është e thjeshtë,” përfundoi ai.