Rrezikohet mandati i Adriatik Lapajt në Parlament, kandidati i listës së mbyllur “shkel” marrëveshjen parazgjedhore

Rrezikohet hyrja në Kuvend e kandidatit më të votuar të Nismës “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, pas një zhvillimi të papritur nga brenda listës së partisë. Kandidati Zeqir Kordhoni, i renditur i 9-ti në listën e mbyllur për qarkun Tiranë, ka kërkuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) një kopje të dorëheqjes që thuhet se është dorëzuar në emrin e tij.
Në një letër drejtuar kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, Kordhoni shprehet: “Unë, Zeqir Kordhoni, jam deputet i partisë ‘Nisma Shqipëria Bëhet’. Kam mësuar se partia ka dërguar një letër dorëheqjeje në emrin tim. Dua të kërkoj një kopje të saj.”
Situata ka ngritur pikëpyetje mbi vlefshmërinë e dorëheqjeve të dorëzuara pas zgjedhjeve të 11 majit, të cilat i hapin rrugën kandidatit më të votuar në listën e hapur, Adriatik Lapaj, për të marrë mandatin në shtator.
Aktualisht, fituese zyrtare e mandatit të kësaj force politike në qarkun Tiranë është Ana Dajko. Për që Lapaj të hyjë në Kuvend, duhet që ajo dhe 11 kandidatë të tjerë të listës së mbyllur të refuzojnë ose të dorëhiqen nga mandati.
Nëse dorëheqja e Kordhonit rezulton e pavlefshme ose e paautorizuar, ajo mund të bllokojë kalimin e mandatit tek Lapaj, duke hapur një debat të ri ligjor dhe politik brenda radhëve të Nismës “Shqipëria Bëhet”.