Ushtria ruse ka ndërmarrë një tjetër sulm të fuqishëm me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës gjatë natës së të hënës, duke vrarë të paktën një person dhe duke shkaktuar disa zjarre në kryeqytetin Kiev, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka njoftuar se ekipet e shpëtimit dhe mjekët po punonin nëpër disa zona të qytetit, veçanërisht në katër distrikte të ndryshme, ka shkruar The Guardian.
Një stacion metroje në qendër të Kievit, prona tregtare, dyqane, shtëpi dhe një kopsht fëmijësh pësuan dëme, bazuar në dëshmitë e zyrtarëve të qytetit.
“Fatkeqësisht, kemi informacion se një person e ka humbur jetën si pasojë e sulmit”, ka bërë të ditur kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, përmes rrjetit social Telegram.
Në një tjetër natë të tensionuar dhe pa gjumë për banorët e Kievit, shumë prej tyre nxituan të strehoheshin në stacionet nëntokësore. Shpërthimet u dëgjuan nëpër të gjithë qytetin, teksa njësitë e Mbrojtjes Ajrore po përpiqeshin të zmbrapsnin sulmet.
Oleh Synehubov, guvernatori i rajonit të Kharkivit, ka njoftuar po ashtu për disa shpërthime edhe në qytetin e dytë më të madh të vendit, porse nuk ka dhënë menjëherë detaje mbi dëmet.
Sulmet kanë ndodhur disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, kishte thënë se Kievi zyrtar i ka propozuar Moskës që rundi i ri i bisedimeve për paqen të zhvillohet javën e ardhshme.
Deri më tani, dy runde bisedimesh në Stamboll nuk kanë sjellë ndonjë përparim konkret drejt marrëveshjes së armëpushimit, duke rezultuar vetëm në shkëmbime të mëdha të të burgosurve dhe marrëveshje për riatdhesimin e trupave të ushtarëve të vrarë në luftë.
Kremlini zyrtar ka lajmëruar se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me Ukrainën, ndonëse pas përmbushjes së qëllimeve fillestare të luftës.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka miratuar të premten paketën e 18-të të sanksioneve ndaj Moskës, e cila synon bankat ruse dhe ul kufirin e çmimit për eksportet e naftës, në përpjekje për të kufizuar aftësinë e saj për ta financuar luftën.