Vendet e BRICS-it zhvilluan më 6-7 korrik samitin e tyre vjetor në Rio-de-Zhanejro të Brazilit. Samiti miratoi një numër dokumentesh të rëndësishme, duke përfshirë Deklaratën e Rio-de-Zhanejros të Samitit të 17-të të BRICS-it, Deklaratën e Liderëve të BRICS-it mbi Qeverisjen Globale të Inteligjencës Artificiale dhe Deklaratën e Liderëve të BRICS-it mbi Kornizën e Financimit të Klimës.
Emërtimi “BRICS” (akronim për vendet si Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) nënkupton grupimin e këtyre shteteve me një ndër synimet madhore, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zgjerimin e tregtisë mes tyre.
Mes kërkesës për një botë shumëpolare, Kina, India, Brazili dhe Rusia hodhën themelet e BRICS-it në vitin 2009, me Afrikën e Jugut që iu bashkua katërshes në vitin 2010. Më 1 janar 2024, pesë shtete të tjera: Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia dhe Irani, u anëtarësuan në këtë grupim.
Sot, BRICS-i përfaqëson më shumë se 45 për qind të popullsisë së botës, 33 për qind të territorit të saj, gati 28 për qind të PBB-së botërore dhe 21 për qind të tregtisë botërore
Në këtë samit ,Kryeministri kinez Li Qiang theksoi në fjalimin e tij se ndryshimet shekullore të botës aktuale po përshpejtohen, rregullat dhe rendi ndërkombëtar kanë pësuar tronditje serioze dhe autoriteti e efektiviteti i mekanizmave shumëpalësh janë dobësuar. Koncepti i qeverisjes globale me konsultim, ndërtim e ndarje të përbashkët, tregon më tej vlerën e vet bashkëkohore dhe rëndësinë praktike.
Li theksoi se, si “skalioni i parë” i Jugut Global, vendet e BRICS-it duhet t’i përmbahen pavarësisë, të demonstrojnë përgjegjësi dhe të përpiqen të bëhen një forcë pioniere në promovimin e reformës së qeverisjes globale. Ai përmendi gjithashtu se Kina do të krijojë Qendrën e Kërkimit të Forcave të Reja Prodhuese Cilësore Kinë-BRICS dhe do të krijojë Bursën e Ekselencës “Golden Heron” të Industrisë së Re të BRICS-it, për të ndihmuar vendet e BRICS-it të kultivojnë talente në fushat e industrisë dhe komunikimit.