Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati, ka bërë të ditur se Sekretari amerikan Marco Rubio ka pranuar ftesën për të vizituar Shqipërinë në një të ardhme të afërt.
Lajmin e ka ndarë vetë ambasadori përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se ftesa ishte bërë në emër të Kryeministrit Edi Rama dhe u cilësua si një mundësi e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Tiranës dhe Uashingtonit.
“Sekretari Marco Rubio është mik i shqiptarëve. Në emër të KM Rama e ftova të vizitojë Tiranën; Portën e Ballkanit për US, për dy arsye: Shqipëria është edhe një mrekulli e diplomacisë Amerikane: nga një diktaturë komuniste që njihej si ‘Koreja e Veriut në Europë’, sot në vendin më pro Amerikan & pro NATO kudo. E ftova edhe në emër të një kombi të vogël, por me një zemër të madhe si Nënë Tereza: mesazhi ynë nesër për në EU ‘më shumë Dashuri edhe më shumë shërbim me përulësi’,” shkruan Bushati.
Sipas tij, Rubio e ka pranuar me kënaqësi ftesën, duke e vlerësuar Shqipërinë si një vend kontributor në NATO, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit globale.
“Sekretari Rubio pranoi ftesën me kënaqësi, në funksion edhe të agendës shumë të ngjeshur të Diplomacisë Amerikane sot, të vizitojë ‘një vend që e vlerëson si kontributor në NATO, sidomos pas vizitës së fundit në Hague’,” theksoi ambasadori.
Në fund të reagimit të tij, Bushati e lidh vizitën me vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë:
“4 Korriku nuk është thjesht Dita e Pavarësisë së SHBA, është Deklarata e Lirisë dhe Demokracisë për gjithë botën tonë,” përfundon ai.