Serbia në flakë protestash – Vuçiq përplaset me Daçiqin, 72 të arrestuar dhe qindra rrugë të bllokuara (VIDEO)

Protestat qytetare kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit po përshkallëzohen në të gjithë Serbinë, ku edhe sot u shënuan bllokime masive të rrugëve dhe grumbullime spontane në qytete të ndryshme, me theks të veçantë në kryeqytetin Beograd. Protestuesit kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, lirimin e studentëve të arrestuar si dhe largimin e kampit me çadra që zyrtarët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) kanë ngritur midis ndërtesave të Presidencës dhe Parlamentit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë natës mes 1 dhe 2 korrikut, janë ndaluar 72 persona dhe është kontrolluar identiteti i 976 protestuesve. Vetëm në 24 orët e fundit, janë mbajtur 117 tubime të paparalajmëruara dhe janë regjistruar 87 bllokada rrugësh, nga të cilat 68 në Beograd.
Në sfondin e tensioneve në rritje, kriza ka shpërthyer edhe brenda qeverisë. Në takimin urgjent të Këshillit të Sigurisë dhe Ministrisë së Brendshme, Presidenti Vuçiq ka kritikuar ashpër ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiq, duke e akuzuar për dështim në kontrollin e rendit publik. Mediat serbe raportojnë se Vuçiq pritet t’i heqë Daçiqit kompetencat e sigurisë dhe të marrë vetë në dorë kontrollin e menaxhimit të protestave.
Tensioni mes pushtetit dhe qytetarëve po rritet dita-ditës, ndërsa Serbia përballet me valën më të madhe të pakënaqësisë qytetare që nga zgjedhjet e fundit. Protestuesit thonë se nuk do të ndalen derisa të realizohen kërkesat e tyre, ndërsa përplasja në kupolën e shtetit sinjalizon për krizë të thellë politike dhe institucionale.