Kritikuesi i Shaqir Fetait është kundërshtar vetëm i Shaqir Fetait. Ai nuk është armik i
BFI-së, përkundrazi, ai është një nga ata bijtë e saj që për më shumë se dy dekada e gjysmë
ka dhënë mundin, djersën, dijen dhe jetën e vet për këtë institucion
Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog
Në mënyrë djallëzore dhe të mbrapshtë, Shaqir Fetai po përpiqet me çdo kusht të ngatërrojë
identitetin personal me institucionin që ka uzurpuar: Bashkësinë Fetare Islame. Ai, që u instalua
në mënyrë tinëzare dhe të orkestruar nga qarqe të errëta e të dyshimta, sot del e thotë me
paturpësi se kushdo që e kritikon atë, qenkan duke sulmuar BFI-në! Kjo përpjekje për ta
përvetësuar një institucion që për dekada ka qenë bastion i besimit dhe krenarisë islame, është
poshtëruese dhe e papranueshme.
Në të vërtetë, BFI-ja nuk prodhon armiq. BFI-ja është një shtëpi e Zotit, e ndërtuar me mund,
sakrificë e gjak të besimtarëve, që meriton udhëheqje të pastër, vizionare dhe largpamëse. Është
pikërisht Shaqir Fetai ai që ka prodhuar armiq, përçarje, urrejtje dhe mjegull, sepse në krye të
këtij institucioni të shenjtë nuk erdhi me vullnet të Zotit, as me përkrahje të sinqertë të
myslimanëve, por me direktiva të qarqeve që asnjëherë nuk kanë dashur të mirën e këtij populli,
as si shqiptarë e as si myslimanë.
Kush nuk e mban mend si brenda natës, të gjithë ata që u kërcënuan e u urdhëruan që të shkojnë
në Gostivar, u urdhëruan t’i mohonin bindjet e tyre, t’ia kthenin shpinën udhëheqjes së
mëparshme dhe ta pranonin Shaqir Fetain si kryeudhëheqësin e ri me dhunë politike, me
direktiva nga struktura të errëta. Këtë tashmë po e flasin të gjithë ata që iu përgjigjen urdhërit
policor për ta përkrahur Shaqir Fetain! Ajo çfarë ndodhi atë natë, sipas tyre, ishte thjesht një puç
i pastër institucional, i cili sot mbulohet me maskën e "unitetit", ndërsa në të vërtetë, është vetëm
një tentativë për të varrosur të kaluarën e ndritur të BFI-së dhe për t’ia vënë përfundimisht lakun
në fyt.
Pikërisht për këtë arsye, çdo kritikë ndaj Shaqir Fetait është jo vetëm e justifikuar, por edhe e
domosdoshme. Kur ai thotë se “BFI-ja paska vetëm një armik”, dhe se ai armik është kritikuesi i
Shaqir Fetait, ai nuk bën gjë tjetër përveçse e demaskon veten si njeri që nuk pranon
llogaridhënie, si një frikacak që nuk përballon dot të vërtetën.
E vërteta është kjo: kritikuesi i Shaqir Fetait është armik vetëm i Shaqir Fetait – dhe këtë e thotë
hapur. Ai nuk është armik i BFI-së, përkundrazi, ai është një nga ata që për më shumë se dy
dekada e gjysmë ka dhënë mundin, djersën, dijen dhe jetën e vet për këtë institucion. Ai është
biri i vërtetë i BFI-së, që e njeh çdo gur të saj, çdo pengesë, çdo fitore e çdo betejë. Ai nuk ka
frikë të dalë publikisht dhe të thotë: le të dalim e të tregojmë kush çfarë ka bërë për BFI-në! Le të
numërojmë kontributet, e ta shohim kush është miku dhe kush është armiku i vërtetë i BFI-së!
Nëse dikush ka shkruar e botuar gjashtë libra voluminozë me argumente, me fakte, me analiza të
thella, dhe në asnjë faqe të atyre librave nuk gjendet një kritikë ndaj BFI-së, por vetëm ndaj
Shaqir Fetait, kjo është dëshmia më e qartë se problemi nuk është institucioni – por individi i
dështuar që e ka kapur atë me dhunë.
Shaqir Fetai e di shumë mirë që është fatkeqësia më e madhe në historinë e BFI-së. Ai është vetë
simboli i shkatërrimit, i kapjes institucionale, i servilizmit ndaj forcave antikombëtare dhe
antimuslimane. Ai nuk është zëri i myslimanëve shqiptarë, por jehona e strukturave të pista që
gjithmonë kanë punuar kundër unitetit tonë fetar e kombëtar.
Prandaj, ai duhet të largohet. Jo nesër, por sot. Ai duhet të shporret nga ai vend që e ka uzurpuar
me mashtrim dhe hile. BFI-ja nuk është e Shaqir Fetait. Ajo është e të gjithëve neve që kemi
derdhur mund e shpirt për të. Ajo është shtëpia e myslimanëve të vendit dhe jo pallati i intrigave
të Shaqir Fetait.
Sot, më shumë se kurrë, është koha që zëri i kritikës së ndershme të dëgjohet. Është koha për t’i
dhënë fund diktatit të frikës dhe heshtjes që Shaqir Fetai përpiqet ta imponojë mbi myhybët e
vet. Sepse nuk do të lejohet që një njeri të shkatërrojë me duar atë që mijëra njerëz e ndërtuan me
zemër e ndër shekuj.
Po, është e vërtetë se BFI-ja ka vetëm një armik, se e duan të gjithë, me përjashtim të një armiku
me emër e mbiemër – Shaqir Fetai, i cili, për armiq i ka të gjithë ata që e duan BFI-në si
Institucion të myslimanëve dhe jo si “hamam” ku me lakuriqësinë e mendimit prej analfabeti
funksional po e turpëron një komunitet të tërë myslimanësh dhe një etni të tërë shqiptarësh. Dhe,
tërë këtë pisllëk ai nuk turpërohet për ta kamufluar me: “në këtë vizitë prezantuam BFI-në
denjësisht…” I padennji të të prezantojë denjësisht?!
Për fund, kritikuesi po që është armik i Shaqir Fetait dhe këtë e pranon publikisht, por, publikisht
duhet ta pranojë edhe Shaqir Fetai se pse është objekt kritike i këtij kritikuesi objektiv dhe tejet
profesional, i cili natë e ditë punon për ta shpëtuar BFI-në nga kthetrat e pista të Shaqir Fetait.