Ambasadori i SHBA-së në Turqi dhe i dërguari i posaçëm për Sirinë, Tom Barrack, njoftoi mëngjesin e së shtunës se Izraeli dhe Siria kishin rënë dakord për një armëpushim.
Ky zhvillim vjen pas disa sulmeve të ushtrisë izraelite ndaj territorit sirian, përfshirë kryeqytetin Damask, në atë që u cilësua si një “ndërhyrje ushtarake” për të mbrojtur pakicën druze.
Barrack njoftoi për armëpushimin përmes një postimi në X, duke theksuar se iniciativa e paqes e udhëhequr nga SHBA-të ka mbështetjen e vendeve të rajonit.
“Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa, të mbështetur nga SHBA-të dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, kanë rënë dakord për një armëpushim të mbështetur nga Turqia, Jordania dhe fqinjët e tjerë,” shkroi Barrack.
Ai nuk dha detaje mbi marrëveshjen, por u bëri thirrje të gjitha palëve të angazhohen për paqe.
“U bëjmë thirrje druzëve, beduinëve dhe sunitëve që të ulin armët dhe, së bashku me pakicat e tjera, të ndërtojnë një identitet të ri dhe të bashkuar sirian, në paqe dhe prosperitet me fqinjët e tyre,” shtoi ai.
Tom Barrack
Ngjarjet ndodhën në vazhdën e përplasjeve të ripërtëritura midis grupeve të armatosura druze dhe klaneve beduine, për të cilat Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, kishte paralajmëruar se do të dërgonte trupa për t’i ndalur, pasi dhjetëra mijëra persona ishin zhvendosur për shkak të luftimeve.
Përleshjet nisën të dielën në provincën jugore të Sirisë, Sweida, midis milicive druze dhe fiseve lokale beduine myslimane sunitë.
Forcat qeveritare ndërhynë me arsyetimin e rikthimit të rendit, por u raportua se morën anën e beduinëve kundër druzëve.
Izraeli ndërhyri në mbështetje të druzëve, duke kryer dhjetëra sulme ajrore kundër konvojeve të forcave qeveritare siriane dhe duke goditur selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Damask.
Druzët përbëjnë një komunitet të rëndësishëm në Izrael dhe janë të njohur për besnikërinë e tyre, shpesh duke shërbyer në forcat e armatosura izraelite.
Luftimet njëjavore kanë shkaktuar qindra viktima. Sipas dëshmive të banorëve për mediat, forcat e lidhura me qeverinë siriane kanë ekzekutuar civilë druzë, kanë plaçkitur dhe djegur shtëpitë e tyre. Të mërkurën, nën ndërmjetësimin e SHBA-së, Turqisë dhe disa vendeve arabe, qeveria e al-Sharaa arriti një armëpushim me grupet druze dhe nisi tërheqjen e trupave nga Sweida.
Sipas marrëveshjes, e bërë publike nga presidenti i përkohshëm sirian të enjten, grupet druze do të mbikëqyrin sigurinë e brendshme në provincë.
Megjithatë, deri të enjten mbrëma, përleshjet kishin rifilluar mes grupeve druze dhe beduine.
Mediat shtetërore raportuan se milicitë druze kishin ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj komuniteteve beduine, duke shkaktuar një valë të re zhvendosjesh.
Guvernatori i provincës fqinje Daraa deklaroi se mbi 1,000 familje janë zhvendosur drejt zonës së tij si pasojë e “sulmeve ndaj fiseve beduine nga grupet e jashtëligjshme”.
Presidenti al-Sharaa njoftoi se forcat speciale do të vendosen në Sweida për të “thyer përleshjet dhe për të zgjidhur konfliktin në terren”.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, që nga shpërthimi i dhunës të dielën, janë zhvendosur rreth 80,000 persona.
Organizata raportoi gjithashtu ndërprerje të shërbimeve jetike në Sweida, përfshirë furnizimin me ujë, energji elektrike, telekomunikacion dhe shërbimet shëndetësore.