Gratë shtatzëna vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe përjashtim nga puna sapo punëdhënësit mësojnë për shtatzëninë e tyre. Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) ka konstatuar diskriminim të drejtpërdrejtë ndërsektorial mbi bazë gjinie, seksi dhe amësie në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës ndaj një punonjëseje në një firmë private, e cila më 17 qershor 2024 kishte njoftuar se ishte shtatzënë, ndërsa që të nesërmen kishte marrë njoftim për ndërprerjen e kontratës.
Gruaja e re kishte qenë e punësuar me kontratë të përkohshme, fillimisht për tre muaj. Në prill të vitit të kaluar ajo kishte nënshkruar një aneks kontrate, sipas të cilit kohëzgjatja e punësimit i ishte zgjatur edhe për tre muaj të tjerë, deri më 15 korrik 2024. Njëkohësisht, paga e saj ishte rritur nga 22.000 në 23.000 denarë.
Megjithatë, ankuesja nuk e kishte pritur zgjatjen tjetër të kontratës në korrik. Më 17 qershor ajo kishte njoftuar kolegen nga burimet njerëzore se ishte shtatzënë, ndërsa që të nesërmen ishte thirrur dhe njoftuar se kontrata e saj nuk do të zgjatej më tej.
Gruaja shtatzënë kishte përjetuar stres të madh, pasiguri, të përziera, pagjumësi, të shkaktuara nga frika për të ardhmen dhe ekzistencën e saj dhe të bebit që nuk kishte lindur ende. Ajo kishte paraqitur dokumentacion mjekësor para KPMD-së. E shqetësuar dhe e përlotur vazhdimisht nga ajo që i kishte ndodhur në firmë, ajo kishte kërkuar ndihmë nga psikiatri, i cili i kishte përshkruar terapi të përshtatshme.
Shtatzënia dhe amësia janë të mbrojtura si me ligjet vendore ashtu edhe me aktet ndërkombëtare që Maqedonia i ka ratifikuar. Në këtë rast është shkelur posaçërisht neni 101 i Ligjit për Marrëdhënie Pune, i cili ndalon shkarkimin për shkak të shtatzënisë, lindjes dhe prindërisë, si dhe gjatë vendosjes së fëmijës në kujdestari nga adoptuesit, etj.
Sipas Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, kjo diskriminim i konstatuar ndërsektorial në rastin e pushimit nga puna të gruas për shkak të shtatzënisë konsiderohet si forma më e rëndë e diskriminimit.