Shkupi është pasuruar me tre hafiza të rinj, të cilët përfunduan me sukses memorizimin e plotë të Kur’anit Famëlartë. Ceremonia solemne e hifzit u zhvillua dje në xhaminë “Mustafa Pasha”, në një atmosferë të mbushur me emocione dhe respekt të thellë për këtë arritje të rrallë shpirtërore.

Ngjarja u organizua nën patronazhin e Myftinisë së Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili, në prani të përfaqësuesve të lartë të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, kryetarit të BFI-së, Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai, atasheut për çështje fetare pranë Ambasadës së Türkiyes në Shkup, Mustafa Bodur, si dhe shumë hoxhallarëve, hafizëve, mysafirëve dhe besimtarëve të shumtë.

Para komisionit vlerësues të kryesuar nga hfz. Abdulkerim ef. Ebibi, tre të rinjtë: hfz. Salahaddin Mert Baki, hfz. Shuajb Sadiki dhe hfz. Jetmir Murtezani, dëshmuan përgatitjen e tyre të lartë dhe aftësinë për të memorizuar me saktësi të gjithë Kur’anin Famëlartë.

Hafizët ndoqën mësimet e hifzit në Institutin e hifzit për djem “Hafiz Ismail Efendiu”, nën përkujdesjen e muhafizit të tyre, hfz. Xhemail ef. Nuhiju, i cili njëherazi është edhe përgjegjës i institutit.

Po ashtu, vlen të veçohet se hfz. Salahaddin Mert Baki është djali i Prof. Sulejman Bakiut dhe nipi i hafiz Abdulbakiut, duke ardhur nga një familje e njohur për trashëgiminë e tyre fetare, ku breza të tërë janë të lidhur ngushtë me mësimin dhe ruajtjen e Kur’anit Famëlartë. Familja e tij numëron disa gjenerata hoxhallarësh dhe hafizësh, që vazhdojnë të jenë shembull për përkushtimin dhe përhapjen e dijes islame.

Ceremonia u vlerësua si një moment me rëndësi të madhe për jetën fetare të Shkupit, duke dëshmuar se tradita e mësimit të Kur’anit, mbetet e gjallë dhe po trashëgohet me dinjitet nga gjeneratat e reja.