Si e bindi Arne Slot sulmuesin Hugo Ekitike të bashkohej me Liverpoolin – një video-thirrjeje ishte vendimtare

Liverpooli është shumë pranë sigurimit të shërbimeve të sulmuesit francez Hugo Ekitike nga Eintracht Frankfurt, me një marrëveshje që pritet të kapë shifrën e 94 milionë eurosh.
Një rol kyç në këtë afrim ka pasur trajneri i ri i “The Reds”, Arne Slot, i cili zhvilloi një video-thirrje vendimtare me lojtarin.
Sipas të përditshmes franceze L’Equipe, gjatë kësaj bisede virtuale, Slot i prezantoi Ekitikes vizionin e tij për Liverpoolin dhe mënyrën se si ai përshtatet në skemën taktike 4-2-3-1.
Holandezi theksoi nevojën për një sulmues të lëvizshëm, që jo vetëm përfundon aksionet, por gjithashtu kontribuon në ndërtimin e tyre, luan me shpinë nga porta dhe lëviz në hapësira.
“Sekuencat e posedimit, liria në finalizim dhe bashkëpunimi me treshen pas shpinës” – këto ishin disa nga pikat që e bindën Ekitiken se Anfield është destinacioni ideal.
Sulmuesi 23-vjeçar, është i intriguar nga projekti i Liverpoolit. Newcastle ishte gati të ofronte 70 milionë, por u tërhoq pas refuzimit të Eintracht Frankfurtit, ndërkohë që Liverpooli hyri fuqishëm në garë.
Ekitike ka një klauzolë lirimi prej 100 milionë eurosh, por palët po negociojnë për një shifër më të ulët. Sipas burimeve, lojtari është i joshur dhe dëshiron të bëhet pjesë e projektit të ri të Slot në Ligën Premier.
Transferimi i tij mund të mbyllet në ditët në vijim – një tjetër sinjal se Liverpooli është gati për një kapitull të ri nën drejtimin e Arne Slot.