Siria do të organizojë zgjedhjet e para parlamentare nën autoritetet e reja në muajin shtator, njoftoi të dielën kryetari i organit përgjegjës për procesin zgjedhor, duke konfirmuar zhvillimin për agjencinë shtetërore SANA.

Mohammed Taha al-Ahmad, kryetar i Komisionit të Lartë për Zgjedhjet e Asamblesë Popullore, tha se zgjedhjet do të mbahen ndërmjet datave 15 dhe 20 shtator. Këto do të jenë zgjedhjet e para që prej rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor, pas një ofensive të shpejtë të grupeve rebele.

Një e treta e 210 ulëseve në parlament do të emërohen nga presidenti i përkohshëm, Ahmad al-Sharaa, ndërsa pjesa tjetër do të zgjidhet përmes votimit.

Në një intervistë për median Erem News, një tjetër anëtar i komisionit zgjedhor, Hassan al-Daghim, sqaroi se në çdo provincë të Sirisë do të krijohet një kolegj zgjedhor për të votuar për kandidatët.

Sipas kushtetutës së përkohshme të nënshkruar në mars nga presidenti al-Sharaa, është paraparë krijimi i një Komiteti të Popullit, që do të shërbejë si parlament i përkohshëm deri në miratimin e një kushtetute të re dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme – një proces që pritet të zgjasë me vite.

Njoftimi për zgjedhjet vjen në një moment të ndjeshëm për vendin, i cili po përjeton ndasi të thella për shkak të qasjes ndaj autoriteteve të reja në Damask. Fillimi i muajit u shënua nga përleshje të ashpra sektare në provincën jugore të Sueidës, ku u vranë qindra persona, duke kërcënuar ta destabilizojnë tranzicionin e brishtë të vendit pas luftës.

Përplasjet nisën pas rrëmbimeve të ndërsjella ndërmjet klaneve të armatosura beduine dhe luftëtarëve të komunitetit fetar druze. Forcat qeveritare ndërhynë formalisht për të ndalur dhunën, por sipas raportimeve, morën anën e klaneve. Disa ushtarë të regjimit thuhet se ekzekutuan civilë druzë dhe dogjën shtëpi.

Izraeli ndërhyri përmes sulmeve ajrore kundër forcave qeveritare dhe ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes, duke deklaruar se po vepronte për të mbrojtur pakicën druze në Siri.