Situata e zjarreve në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 21 vatra të raportuara në 24 orët e fundit, 4 ende aktive

Gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar gjithsej 21 vatra zjarri në territorin e vendit, ndërsa 4 prej tyre mbeten ende aktive. Ministria e Mbrojtjes thote se zjarret janë përhapur në disa bashki, përfshirë Elbasanin, Librazhdin, Prrenjasin, Vlorën, Finiqin, Tiranën, Kavajën, Lezhën, Kurbinin, Shkodrën, Vaut e Dejës, Malësinë e Madhe, Hasin, Devollin dhe Beratin.
Vatrat aktive aktualisht janë:
Elbasan – Në vendgrumbullimin e mbetjeve, ku vijon puna për shuarjen e plotë të flakëve. Dje u punua me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve. Në terren ndodhet edhe një grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit.
Finiq – Midis fshatrave Grazhdan (njësia Livadhja) dhe Malçan (njësia Dhivër). Situata është e qetë për momentin, por mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.
Tiranë – Në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr. Zjarri ka përfshirë një zonë me shkurre dhe ferra. Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe helikopteri Cougar për vënien nën kontroll të flakëve.
Has – Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj. Vatra ka përfshirë një sipërfaqe me pyll pishe. Terreni i thyer dhe era po vështirësojnë ndërhyrjen, por forcat operacionale vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit.
Deri tani janë djegur rreth 6 hektarë sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:
36 automjete zjarrfikëse
232 forca operacionale
35 efektivë të Forcave të Armatosura, me 4 mjete zjarrfikëse, 4 kamionë vetëshkarkues, 1 traktor zinxhir, një grup ekspertësh për ndotjen e ajrit dhe një helikopter Cougar
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet niveli “I LARTË” i rrezikut për zjarre në pothuajse të gjitha qarqet e vendit. Qarqet Korçë dhe Vlorë parashikohen me rrezik “TË MODERUAR”, me zona të lokalizuara ku rreziku mbetet i lartë.
Thirrje për qytetarët:
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, të mos digjin mbeturina dhe të shmangin çdo veprim të rrezikshëm që mund të shkaktojë zjarr.
Në rast zjarri, qytetarët duhet të njoftojnë menjëherë shërbimet zjarrfikëse.
Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët mund të parandalohet përhapja e flakëve dhe të mbrohen natyra, prona dhe jeta e njerëzve.