Një familje nga Maqedonia është në qendër të një skandali korrupsioni në Berlin, Gjermani, ku dje është kryer një bastisje nga prokuroria si pjesë e një hetimi për marrjen e shtetësisë gjermane përmes korrupsionit.

Prokuroria publike po heton Zyrën Shtetërore për Emigracion në Berlin për lëshimin e një certifikate të rreme për natyralizim, raportojnë mediat gjermane.

Një i punësuar në Zyrën e Natyralizimit, 38-vjeçar, dyshohet se ka natyralizuar një familje nga Maqedonia duke shkelur të gjitha rregullat dhe ligjet – madje edhe se ka kërkuar dhe pranuar para për këtë qëllim.

Si një nga arsyet e mundshme të skandalit po hetohet edhe një lidhje dashurie.

Të enjten, policia në Berlin ka tentuar të mbledhë prova gjatë një bastisjeje!

Në emër të Prokurorisë Publike, autoritetet kanë bastisur dy banesa që u përkasin tre të dyshuarve në Marzan dhe Rudow, nën dyshimin për ryshfet.

I punësuari është nën hetim për dyshimet për ryshfet dhe lëshim të një certifikate të rreme. Ai dyshohet se në mënyrë të paligjshme ka natyralizuar një familje me dy fëmijë të mitur nga Maqedonia më 15 prill 2025.

Më parë, familja e kishte tërhequr kërkesën për natyralizim dhe ai nuk kishte qenë fare përgjegjës për rastin e tyre.

Supozohet se ai vetë ka përgatitur certifikatat e natyralizimit, i ka nënshkruar me emër të rremë dhe ka përdorur vulë të huaj. Më pas ua ka dorëzuar dokumentet familjes. Po ashtu, dyshohet se ka keqpërdorur aksesin e një kolegu për të fshirë dosjet e tyre të emigracionit.

Dy të dyshuarit e tjerë – një burrë 39-vjeçar dhe një grua 36-vjeçare – janë anëtarë të rritur të familjes që ka marrë nënshtetësinë, dhe ata gjithashtu dyshohen për ryshfet.

A kishte punonjësi një lidhje me gruan?

Sipas hetimeve të deritanishme, një lidhje romantike midis punonjësit të Zyrës Shtetërore dhe gruas që është natyralizuar mund të jetë motiv për veprën penale.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova, veçanërisht pajisje elektronike për ruajtje të të dhënave, të cilat do të analizohen gjatë hetimeve të mëtejshme.

Rasti ishte tashmë i njohur për agjencinë e natyralizimit dhe pas zbulimit, punonjësi është pushuar menjëherë nga puna.

Në dokumentacionin e agjencisë thuhet:
“Punonjësi u pushua nga puna pa paralajmërim paraprak, ndër të tjera për shkak të keqpërdorimit të qëllimshëm të identifikimeve të kolegëve dhe përdorimit të vulës së huaj.”

Pas zbulimit të rastit, të gjithë punonjësve u është rekomanduar që të kyçin kompjuterët dhe vulat personale çdo herë që largohen nga vendi i punës – madje edhe kur shkojnë vetëm për një kafe të shpejtë ose në tualet.