Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Bullgari, ndërkohë është takuar me homologen e saj Nataliya Kiselova dhe zyrtarë të tjerë, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se në vijim të vizitës zyrtare në Sofje, Spiropali u prit sot nga Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Nataliya Kiselova.

“Intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar mes Kuvendit dhe Asamblesë Kombëtare do të nxisë marrëdhëniet dypalëshe si edhe dialogun politik mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, të cilat janë aktualisht të shkëlqyera, të qëndrueshme dhe pa asnjë çështje të pazgjidhur mes dy vendeve”, është shprehur Spiropali.

Kryeparlamentarja Spiropali ka theksuar se Shqipëria është në pararojë të vendeve kandidate drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

“Përshpejtimi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një proces i mbështetur në meritë dhe një prioritet i zgjerimit, është i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Evropian. Jetojmë në kohë të trazuara dhe një Evropë më e madhe do të thotë një Evropë më e fortë dhe më e sigurt”, ka theksuar ndër të tjera Spiropali.

Sipas njoftimit, Kiselova vlerësoi “arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë” drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Kiselova nënvizoi se bashkëpunimi dypalësh do të zgjerohet dhe Shqipëria dhe Bullgaria, Kuvendi dhe Asambleja Kombëtare do të rrisin kontributin edhe në disa prioritete të bashkëpunimit rajonal, si mbrojtja e paqes dhe siguria në rajon e më gjerë, konektiviteti, infrastruktura, turizmi, politikat rinore”, thuhet në njoftim.

Gjatë vizitës në Bullgari, Spiropali u prit në takim edhe nga Kryeministri Rosen Zhelyazkov.