Tre persona kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me dron në një fabrikë ushtarake në qytetin Izhevsk të Rusisë, më shumë se 1,000 kilometra larg kufirit me Ukrainën, njoftojnë autoritetet ruse.

Guvernatori i rajonit të Udmurtisë, Aleksandr Brechalov, deklaroi se dhjetë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe konfirmoi se ka informuar Presidentin Vladimir Putin për ngjarjen. Sulmi, sipas raportimeve, ka goditur Uzinën Elektromekanike Kupol, një objekt prodhimi i rëndësishëm për industrinë ushtarake ruse.

Sipas BBC, uzina e sulmuar prodhon sisteme të mbrojtjes ajrore si raketat tokë-ajër Tor dhe stacione radari, ndërsa gjithashtu është përfshirë në zhvillimin e sistemeve Osa dhe dronëve ushtarakë.

Një burim nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) konfirmoi për BBC Ukrainë se sulmi është kryer nga dy dronë me rreze të gjatë veprimi, të cilët kanë përshkuar rreth 1,300 kilometra për të goditur objektivin.

“Operacionet e tilla speciale dëmtojnë kapacitetin ofensiv të armikut, prishin zinxhirët e prodhimit ushtarak dhe tregojnë se nuk ka zona të sigurta për infrastrukturën ushtarake ruse, edhe në thellësi të territorit të saj,” citohet të ketë thënë zyrtari ukrainas për mediat vendase.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale, të verifikuara nga BBC, tregojnë momentin e një shpërthimi në çatinë e një ndërtese, pasuar nga një re e madhe tymi të zi që ngrihej mbi uzinë.

Pas sulmit, autoriteti rus i aviacionit civil, Rosaviatsia, vendosi përkohësisht kufizime në operacionet e aeroportit të Izhevskut, të cilat më pas u hoqën disa orë më vonë.

Ky është sulmi i dytë ndaj fabrikës Kupol që nga nëntori i kaluar. Sulmi i mëparshëm nuk kishte shkaktuar viktima.