Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot, në margjinat e Samitit të përkushtuar për Planin e Rritjes së BE-së që mbahet në Shkup, mbajti takim bilateral me Ministrin për Integrime Evropiane të Republikës së Serbisë, Nemanja Staroviq. Me këtë rast, Ministri Murtezani e uroi Ministrin Staroviq për emërimin e tij në këtë funksion dhe shprehu besimin se përpjekjet e përbashkëta do të vazhdojnë me dinamikë dhe proaktivitet të ri në drejtim të avancimit të agjendës evropiane të rajonit.

Murtezani dhe Staroviq diskutuan thellimin e bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në kontekstin e zbatimit të Planit të Rritjes, i cili paraqet mundësi të përbashkët për përforcimin e lidhshmërisë ekonomike rajonale dhe përafrimin me politikat evropiane. Theks i veçantë u vu në bashkëpunimin e deritanishëm bazuar në Memorandumin për mirëkuptim midis dy ministrive, si dhe në mundësitë e reja për nisma me interes të ndërsjellë, duke përfshirë programet ndërkufitare për zhvillim dhe lidhshmërinë infrastrukturore.

Ministrat theksuan rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm dhe të koordinuar të reformave evropiane në rajon, si parakusht për realizimin e përfitimeve ekonomike dhe institucionale të parashikuara nga qasja e re e BE-së. Në këtë drejtim, u shpreh gatishmëri e përbashkët për vazhdimin e komunikimit e ngushtë dhe veprimit të përbashkët drejt integrimit të plotë evropian të të dy vendeve.

name); echo ""; } } ?>