Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Dr. Arben Taravari, së bashku me Kryetarin e Komunës së Varapçishtit, Isen Shabani do të marrin pjesë në Samitin e 4-t Ndërkombëtar kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (4th International Summit Against Human Trafficking), i cili do të mbahet nga data 21 deri më 23 korrik 2025 në Uashington D.C., Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky samit i rëndësishëm ndërkombëtar, sipas njoftimit të ASH-së, mbledh në një vend liderë shtetërorë dhe vendorë, përfaqësues të qeverive të ndryshme, organizata ndërkombëtare, institucione të drejtësisë, si dhe aktivistë të të drejtave të njeriut nga e gjithë bota, për të diskutuar mbi sfidat globale dhe veprimet konkrete në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

“Pjesëmarrja e Kryetarit Taravari në këtë samit përfaqëson jo vetëm angazhimin e tij personal në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por gjithashtu përkushtimin e vazhdueshëm të Aleancës për Shqiptarët për një shoqëri më të drejtë, më të sigurt dhe me institucione të përgjegjshme”, theksohet në komunikatën r ASH-së.

Gjatë këtij samiti, thuhet në njoftimin e ASH-së, kryetari Taravari do të marrë pjesë në disa panele tematike përkrah figurave të njohura ndërkombëtare si senatorë amerikanë, përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, ish-kryeministra të rajonit të Ballkanit, si dhe përfaqësues të organizatave që punojnë në frontin e parë kundër këtij fenomeni global.

“Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje përbën një mundësi të jashtëzakonshme për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në një forum global ku trajtohen çështje me rëndësi thelbësore për shoqëritë demokratike dhe për të kontribuar në krijimin e një fronti të bashkuar ndërkombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, thonë në ASH.

Gjatë qëndrimit në SHBA, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari do të realizon takime të shumta me senatorë dhe përfaqësues të tjerë të jetës politike dhe shoqërore.