Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dha një intervistë për Euro News Albania ku foli për vizitën në SHBA, ndikimin e “Botës Serbe”, pozicionimin politik, dhe zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, kumton Flaka.
Para një jave, Taravari ishte në SHBA së bashku me kryetarin e komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani. Ata zhvilluan takime të shumta me përfaqësues të Partisë Republikane, ku shkëmbyen qëndrime për situatën në Ballkan, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Shqipërinë. Ai vlerësoi vizitën si shumë frytdhënëse.
“Ishte një vizitë e frytshme ku shkëmbyem qëndrime për Ballkanin, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Shqipërinë,” tha Taravari.
Duke folur për ndikimin e Botës Serbe, Taravari theksoi se raporti i Komisionit Evropian ka vënë në pah shtetësimin e ndikimit serb në Maqedoni. Ai kujtoi se para shtatë muajsh, lideri i “Botës Serbe”, Dodiku, vizitoi Shkupin në praninë e kryeministrit, liderit të opozitës dhe zëvendëskryeministrit Stolkovic. Sipas tij, ndikimi i këtij grupimi ka qenë i jashtëzakonshëm vitin e fundit dhe shpreson që qeveria të marrë masa për parandalimin e ndikimeve të dëmshme.
Taravari foli edhe për rolin e Zëvendëskryeministrit Ivan Stolkovic në qeverinë e Shkupit.
“Është e vërtetë që zëvendëskryeministri Stolkovic është i afërt me Beogradin dhe Moskën, dhe ka lidhje me Dodikun. Kjo ka qenë zgjedhje e kryeministrit dhe ai duhet ta shqyrtojë këtë vendim,” tha Taravari.
Për herë të parë në 35 vjet, tha Taravari, një parti shqiptare vendosi të largohet nga qeveria dhe të kalojë në opozitë.
“Për herë të parë në 35 vjet, një parti vendos të largohet nga qeveria dhe të kthehet në opozitë. Para daljes, merrnim informacione për ndikimin serb dhe nuk kishte shenja se do të bëheshin ndryshimet kushtetuese apo do të gjendej gjuhë e përbashkët me Bullgarinë,” deklaroi Taravari. Ai kritikoi: “Decentralizimi fiskal ishte prioriteti ynë, kurse na servoheshte një ligj që Maqedoninë e Veriut e centralizonte edhe më shumë. Investimet në Maqedoninë Perëndimore munguan dhe administrata shqiptare është totalisht e degraduar”, shtoi Taravari mes tjerash.
Taravari u pyet edhe për formimi dhe funksionimi i koalicionit VLEN në vitin 2024.
“Kishte ndikim nga Kurti, por arkitekti politik i VLEN-it ka qenë z. Kurti dhe pa garancat e tij as që do të bashkohesha në vitin 2024. Por funksionimi i VLEN-it ishte disfunksional. Të gjitha vendimet duheshin të merren në kuadër të koalicionit, dhe kjo e bëri të pamundur funksionimin,” tha Taravari.
Në vitin 2024 pati një përçarje brenda ASH-së, por Taravari tha se pjesa më e madhe e strukturës mbeti e kompaktuar. Taravari theksoi nevojën për ndryshim, por se ai ndryshim nuk u arrit plotësisht.
“Në vitin 2024 pati një përçarje në ASH, por pjesa më e madhe e partisë mbeti kompakte. Struktura mbeti e njëjtë dhe unë nuk e ndryshova bindjen për lëvizjen që u bë. Kishte nevojë për ndryshim, por ndryshimi nuk ndodhi ashtu siç pritej,” tha ai.
Taravari foli edhe për takimin me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Shkup.
“U takova me z. Rama dhe shkëmbyem mendime për zhvillimet politike në Maqedoni dhe Shqipëri. Para se të bashkohem me LEN-in që u bë VLEN, u takuam edhe me z. Kurti dhe z. Rama në Shkup dhe kishim qëndrime të njëjta për faktorizimin politik të shqiptarëve në raport me eurointegrimet,” tha Taravari.
Gjatë intervistës, Taravari foli edhe për zgjedhjet lokale dhe koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim.
“Për zgjedhjet lokale kemi vendosur që koalicioni mes ASH-së dhe Frontit Evropian të quhet Aleanca Kombëtare për Integrim. ASH prezantoi kandidaturat për katër komuna, janë profesionistë të jashtëzakonshëm. Besoj se edhe Fronti Evropian do të bëjë të njëjtën dhe do të kemi mbështetje reciproke,” tha Taravari.
Taravari kritikoi qëndrimin e VLEN-it ndaj disa kandidatëve të pavarur, të cilët sipas tij janë të favorizuar nga VMRO-DPMNE dhe jo nga vetë partitë shqiptare, duke e parë këtë si një tendencë negative për të ardhmen politike të shqiptarëve.
“Këto nuk janë kandidatë të pavarur, janë kandidatë që i preferon VMRO-DPMNE. Për njërin prej tyre VLEN as nuk e dinte se do të kandidonte. Kjo është një tendencë e keqe për shqiptarët. Me këtë, partitë maqedonase mund të synojnë që partite shqiptare të mos ekzistojnë në të ardhmen,” paralajmëroi Taravari.
Në zgjedhjet lokale që vijnë, sipas Taravarit, shqiptarët duhet të vendosin nëse do të funksionojnë si parti autonome shqiptare apo do të lejojnë partitë maqedonase të vendosin për ta.