Sulmet izraelite në Rripin e Gazës vranë të paktën 30 persona, përfshirë gjashtë fëmijë në një pikë grumbullimi uji, të dielën, ndërsa numri i të vdekurve palestinezë tejkaloi 58,000 pas 21 muajsh lufte, thanë autoritetet lokale .

Ministria e shëndetësisë e Gazës tha se gratë dhe fëmijët përbëjnë më shumë se gjysmën e më shumë se 58,000 të vrarëve në luftë.

Zyrtarët në Spitalin Al-Awda thanë se morën 10 trupa pas një sulmi izraelit në një vend për mbledhjen e ujit në Nuseirat.

Gjashtë fëmijë ishin midis të vdekurve. Ushtria izraelite tha se objektivi i sulmit ishte një militant, por një gabim teknik bëri që municioni i tij të binte “dhjetëra metra larg objektivit të tij”.

Më vete, zyrtarët e shëndetësisë thanë se një sulm izraelit goditi një grup civilësh që po ecnin në një rrugë në Gazën qendrore këtë pasdite, duke vrarë 11 persona dhe duke plagosur rreth 30 të tjerë.

Në qytetin Zawaida, një sulm izraelit ndaj një shtëpie vrau nëntë persona, përfshirë dy gra dhe tre fëmijë, thanë zyrtarët në Spitalin e Martirëve Al-Aksa.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur më shumë se 150 objektiva në 24 orët e fundit, duke përfshirë ato që tha se ishin depo armësh, raketahedhës dhe pozicione snajperësh.

Izraeli fajëson Hamasin për viktimat civile, sepse grupi militant dyshohet se vepron në zona të populluara.

Izraeli thotë se do ta përfundojë luftën vetëm kur Hamasi të dorëzohet, të çarmatoset dhe të largohet në mërgim, gjë që grupi ka refuzuar ta bëjë.

Thuhet se Hamasi është gati të lirojë të 50 pengjet e mbetura në këmbim të përfundimit të luftës dhe tërheqjes së plotë të forcave izraelite.