Sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, realizoi një takim pune me delegacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Lituanisë, e kryesuar nga ministri Vlladislav Kondratoviç. Në këtë takim fokusi ishte vënë në avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe thellimin e lidhjeve miqësore ndërmjet dy ministrive dhe policive në luftën kundër krimit të organizuar, situatën me migracionin e paligjshëm dhe bashkëpunimin ndërmjet qendrave të trajnimit të nëpunësve policorë.

Ministrat në takim nënshkruan edhe Protokollin për zbatimin e Marrëveshjes për riatdhesimin e personave që qëndrojnë pa leje. Ministri Kondratoviç gjithashtu, dha një mbështetje të qartë për procesin eurointegrues të vendit.

“Meqenëse ministri ofron që i gjithë ekipi i tij të jetë në dispozicion të oficerëve të policisë së Maqedonisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme në drejtim të përmbushjes së të gjitha kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian, shpreh mirënjohjen time personale dhe shpresoj që bashkëpunimi ynë do të forcohet dhe do të jetë në një nivel edhe më të lartë”, tha Toshkovski.


Kondratoviç, gjithashtu shfaqi shpresë se në të ardhmen bashkëpunimi mes dy ministrive do të përforcohet.

“Të dy vendet kanë bashkëpunim të shkëlqyer dypalësh dhe shumëpalësh, ato ndajnë vlera evropiane. Sot biseduam se si të përmirësojmë bashkëpunimin në fushën e punëve të brendshme, luftën kundër krimit, menaxhimin e kufijve dhe migracionin. Duke nënshkruar Marrëveshjen për riatdhesim, ne po forcojmë më tej bashkëpunimin tonë në temën e sigurisë”, theksoi ministri lituanez Kondratoviç.

Lidhur me mbështetjen për procesin e integrimit evropian të vendit, ai tregoi se si një shtet anëtar që ka qenë pjesë e Unionit për 30 vjet, ata janë të gatshëm të ndajnë përvojat dhe mësimet e nxjerra.

“Lituania mbështet plotësisht Maqedoninë në rrugën e saj integruese drejt Bashkimit Evropian dhe sipas përvojës sonë, është vërtet një proces transformues. Ne e filluam këtë udhëtim 30 vjet më parë dhe rritja e prosperitetit të vendit është vërtet e dukshme dhe arritja e kësaj kërkon angazhim. Pavarësisht të gjitha gjërave pozitive, ky proces ka sfidat e veta dhe sigurisht nuk është një proces i lehtë, por sjell shumë përfitime për qytetarët dhe ne jemi të gatshëm të ndajmë të gjitha mësimet që kemi nxjerrë. Diskutuam gjithashtu temën më të gjerë të menaxhimit të kufijve”, theksoi Kondratoviç.