Ministria e Punëve të Brendshme përmes SPB Manastir dhe OVR Prilep ka dalë me detaje zyrtare lidhur me krimin e rëndë të ndodhur më 12 korrik 2025 në Prilep, ku tre persona humbën jetën – një burrë, djali i tij i mitur dhe autori i krimit, i cili më pas u vetëvra.

Ngjarja tragjike:

Sipas të dhënave fillestare:

Më 12 korrik rreth orës 15:00, një 62-vjeçar nga Prilepi, i identifikuar si P. Gj., ka kontaktuar nipin e tij nga motra, P. Ç. (43), dhe e ka ftuar në shtëpinë e tij, duke kërkuar që të marrë me vete edhe djalin 13-vjeçar.

Pasi e ka informuar bashkëshorten, P. Ç. ka marrë të birin dhe janë nisur drejt shtëpisë së xhaxhait në rrugën “Stevan Apostollski”.

Momenti i krimit:

Sipas dëshmitarëve dhe të dhënave policore, mes orës 15:30 dhe 16:00 janë dëgjuar të shtëna në afërsi të shtëpisë. Dyshohet se në këtë moment, P. Gj. ka qëlluar për vdekje nipin dhe djalin e tij.

Rreth orës 17:10, në një profil në Facebook që besohet se i përket autorit, është postuar një status me përmbajtje të dyshimtë që përmendte të motrën dhe nipin, çka lë të kuptohet se postimi është bërë pas krimit.

Ndërhyrja e policisë:

Bashkëshortja e viktimës, e shqetësuar pasi nuk mund të kontaktonte me burrin dhe djalin, ka shkuar te shtëpia e xhaxhait dhe ka parë makinën e tyre të parkuar. Nuk ka marrë përgjigje dhe rreth orës 21:20 e ka raportuar rastin në OVR Prilep.

Policia është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes. Pas konsultimit me prokurorin publik, u dha urdhër për hapjen me forcë të derës.

Kur oficerët hynë në shtëpi, autori hodhi një granatë dore e cila vetëm lëshoi tym, por nuk shpërtheu plotësisht. Menjëherë pas kësaj, ai hapi zjarr ndaj policisë, e cila reagoi me armë zjarri.

Në orën 22:40, policia raportoi për të shtëna nga shtëpia. Pak minuta më vonë, P. Gj. kreu vetëvrasje me armë zjarri.

Hetimi dhe gjetjet:

Në vendngjarje ka mbërritur Ndihma e Shpejtë, ku u konstatua vdekja e tre personave: P. Ç., djali i tij 13-vjeçar dhe P. Gj.

Më 13 korrik në orën 01:20 u bë inspektimi zyrtar në prani të prokurorit. Në shtëpi dhe jashtë saj u gjetën:

gëzhoja armësh zjarri,

një granatë dore M93,

dy pistoleta (kalibri 9 mm dhe 7.65 mm),

dokumente personale, para dhe kontrata të pronësisë.

Prokuroria ka urdhëruar obduksion për të gjitha trupat për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjeve.