Klubi turk, Galatasaray bëri transferimin më të madh në historinë e tij 120-vjeçare të mërkurën mbrëma, duke u përforcuar me Victor Osimhen, i cili erdhi nga Napoli për një shumë rekord prej 75 milionë eurosh.

Osimhen, i cili luajti për Galatën sezonin e kaluar si lojtar i huazuar dhe shënoi 37 gola në 41 ndeshje në të gjitha garat, mori një nder të jashtëzakonshëm, dhe turqit treguan edhe një herë pse janë ndoshta tifozët më të zjarrtë në botë.

Konkretisht, Galatasaray transmetoi fluturimin e nigerianit për në Stamboll në kanalin e tyre në YouTube, dhe pika e vogël që përfaqësonte avionin e tij u ndoq nga 3.5 milionë njerëz.

Përveç kësaj, mijëra tifozë që vendosën ta takonin në aeroport i dhanë një pritje spektakolare, dhe një nga shumë pankartat tërhoqi shumë vëmendje, duke pasur parasysh se Osimhen ishte paraqitur si mbret në të.

Osimhen do t’i nënshtrohet sot vizitave mjekësore dhe do të nënshkruajë zyrtarisht kontratën, dhe Galatasaray do t’i paguajë menjëherë Napolit 40 milionë euro, ndërsa 35 milionë euro tjera do të paguhen me këste deri në fund të sezonit.

Napoli e mbrojti veten me një klauzolë që deri në verën e vitit 2027, Galata nuk mund ta shesë Osimhenin te një klub tjetër italian, dhe nigeriani do të nënshkruajë një kontratë trevjeçare me vlerë totale 45 milionë euro.