Donald Trump njoftoi se Izraeli i ka pranuar “kushtet e domosdoshme” për një armëpushim 60-ditor në Gaza, pa zbuluar detaje të marrëveshjes.

“Gjatë marrëveshjes së propozuar, do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës. Katari dhe Egjipti, që kanë punuar shumë për të arritur paqe, do ta dorëzojnë propozimin përfundimtar. Shpresoj që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të bëhet më mirë – vetëm më keq”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, deklaroi se Izraeli është absolutisht i gatshëm për një armëpushim, por nuk dihet nëse Hamasi do t’i pranojë kushtet e marrëveshjes së propozuar. Trump këtë javë do të takohet me Benjamin Netanyahun dhe paralajmëroi se do të jetë shumë i ashpër me të.

“Vërtet besoj se Netanyahu dëshiron që armiqësitë në Gaza të përfundojnë. Mendoj se do të arrijmë marrëveshje këtë javë”, tha Trump.

Rreth 50 pengje izraelite ndodhen ende në Gaza, por besohet se vetëm rreth 20 prej tyre janë gjallë. Izraeli më herët ka deklaruar se konflikti mund të përfundojë vetëm nëse Hamasi shpërbëhet plotësisht. Nga ana tjetër, Hamasi prej kohësh kërkon një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza.

Armëpushimi i mëparshëm ishte planifikuar të zhvillohej në tri faza, por dështoi pas vetëm dy muajsh në mars, pas përfundimit të fazës së parë, kur Izraeli rifilloi luftimet, duke shkaktuar përkeqësim të mëtejshëm të krizës humanitare në Gaza. Këtë javë, Izraeli ka urdhëruar evakuime në pjesën veriore të Gazës për shkak të operacioneve të shtuara ushtarake.