Presidenti amerikan, Donald Trump, tha sot se ndihet i zhgënjyer që askush nuk e ka falënderuar për ndihmën humanitare që SHBA ka dërguar në Rripin e Gazës, duke iu referuar një fondi prej dhjetëra milionë dollarësh të aprovuar kohët e fundit nga Uashingtoni.

Gjatë një deklarate për mediat nga Turnberry i Skocisë, ku ndodhej në shoqërinë e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Trump tha se para dy javësh, SHBA kishte dhënë 60 milionë dollarë ndihmë ushqimore për palestinezët në Gazë, por sipas tij, kjo nuk u njoh nga askush.

“E dini, ne dhamë 60 milionë dollarë para dy javësh për ushqime dhe askush nuk e përmendi.

Do të doje që të paktën dikush të thoshte ‘faleminderit’. Asnjë vend tjetër nuk dha asgjë. Të bën të ndihesh keq kur askush nuk e vlerëson,”, tha Trump.

Ai nuk dha detaje se nga cilat fonde ishin dhënë paratë apo kujt iu drejtuan konkretisht.

Megjithatë, sipas gazetës The Guardian, muajin e kaluar qeveria amerikane kishte miratuar një grant prej 30 milionë dollarësh për GHF (Gaza Humanitarian Foundation), një organizatë që mbështetet nga Izraeli, por është shndërruar në subjekt debatesh për transparencën dhe përkatësinë e saj.

Trump komentoi gjithashtu mbi zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Hamasit, duke u ndalur veçanërisht në bllokimin e bisedimeve për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh.

“Nuk e di çfarë do ndodhë tani, pas vendimit të Izraelit për të ndërprerë negociatat. Por mendoj se është e rëndësishme që pengjet të lirohen.

Hamas ka treguar papritur një qëndrim më të ashpër dhe nuk dëshiron të kthejë pengjet. Kështu që, Izraeli do të duhet të marrë një vendim,”, deklaroi ish-presidenti amerikan.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të mbeten të larta dhe roli i SHBA në ndihmat humanitare, por edhe në negociatat diplomatike, është nën vëmendje të shtuar ndërkombëtare.