Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do ta shqyrtojë mundësinë për deportimin e Elon Musk, njeriu më i pasur në botë dhe drejtor ekzekutiv i Tesla dhe SpaceX, në mes të një përplasjeje gjithnjë e më të ashpër mes dy ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë.

Gazetarja e Daily Mail, Emily Goodin, raportoi në platformën X se e kishte pyetur Trumpin nëse planifikon ta deportojë Muskun, dhe presidenti u përgjigj: “Do të duhet ta shqyrtojmë këtë.”

Më vonë, Trump shtoi: “Nuk e di. Do të duhet të shohim. Ndoshta do të duhet të dërgojmë DOGE te Elon. E dini çfarë është DOGE? DOGE është një përbindësh që ndoshta duhet të kthehet dhe ta hajë Elonin.”

Ditët e fundit, Trump e ka sulmuar ashpër Muskun për shkak të kritikave të tij ndaj uljes së përgjithshme të taksave dhe ligjit për shpenzime, i cili aktualisht është në shqyrtim nga Senati amerikan.

“Ndoshta duhet t’i kërkojmë DOGE-s të shqyrtojë me kujdes subvencionet që kanë marrë kompanitë e Muskut. Elon ndoshta ka marrë më shumë subvencione se çdo njeri tjetër në histori. Pa subvencionet, Elon ndoshta do të duhej ta mbyllte kompaninë dhe të kthehej në Afrikën e Jugut. Fund raketave, satelitëve apo makinave elektrike. Vendi ynë do të kursente një pasuri!”, shkroi Trump përmes platformës së tij Truth Social.