Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka deklaruar se projektligji i votuar në parlamentin izraelit (Knesset) për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar është i “pavlefshëm” në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe “nuk ka asnjë vlefshmëri ligjore”, transmeton Anadolu.

Ministria turke në reagimin e saj theksoi se Bregu Perëndimor është territor palestinez dhe ndodhet nën pushtimin izraelit që nga viti 1967, ndërsa çdo përpjekje e Izraelit për ta aneksuar atë përbën një veprim të paligjshëm dhe provokues që synon të minojë përpjekjet për paqe.

“Përpjekjet e qeverisë së Netanyahut për të qëndruar në pushtet përmes politikave të dhunshme dhe veprimeve të jashtëligjshme po çojnë çdo ditë në kriza të reja, duke përbërë një kërcënim serioz për rendin ndërkombëtar dhe sigurinë rajonale”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Ministria gjithashtu theksoi se duhet të merren masa të detyrueshme dhe ndëshkuese pa vonesë kundër agresivitetit të Izraelit gjenocidal dhe se përgjegjësitë ligjore dhe morale të sistemit ndërkombëtar duhet të përmbushen në mënyrë efektive.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor që nga Lufta e Lindjes së Mesme në vitin 1967.

Që nga fillimi i luftës së fundit gjenocidale të Izraelit kundër Rripit të Gazës në fund të vitit 2023, afër 1 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 7 mijë të tjerë janë plagosur në territorin e pushtuar nga forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm.

Në një opinion historik në korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territoreve palestineze nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.