Nazmi Baftiri, 82 vjeç nga Zajazi, shtetas amerikan me origjinë nga Maqedonia e Veriut, është gjetur gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore mëngjesin e sotëm pas një kërkimi intensiv dyditor, konfirmoi gazetarja Farije Dauti.

Baftiri, i cili vuan nga demenca, ishte raportuar i zhdukur më 14 korrik pasi ishte larguar nga shtëpia e tij në fshatin Zajaz, afër Kërçovës, pa dokumente dhe i veshur me pizhamat. Ai ishte parë për herë të fundit duke drejtuar veturën e tij, një Toyota Matrix e vitit 2005 me targa të shtetit Illinois, ndonëse i ndalohej të ngiste për shkak të gjendjes shëndetësore.

Vetura u gjet e braktisur në fshatin Drogomisht i Madh, ndërsa Baftiri u lokalizua rreth orës 05:50 të mëngjesit në një zonë pyjore afër përrenjve të Bukujqanit, në afërsi të Xhafkut.

Sipas familjarëve, ai u gjet nga Arlind Abazi dhe Sulejman Fejza, dy banorë të fshatit Jagoll, të cilët u përfshinë vullnetarisht në kërkime që në orët e para të mëngjesit. Në momentin e gjetjes, Baftiri kishte shfaqur shenja frike dhe konfuzioni, por më pas ishte stabilizuar dhe kishte kërkuar ndihmë.

Familja e gazetarit Advije Baftiri (e njohur edhe si Vicky), e cila jeton në SHBA, ka shprehur mirënjohje të thellë për ndihmën e dhënë nga qytetarët dhe komuniteti lokal. Ajo gjithashtu falënderon autoritetet për angazhimin dhe qytetarët që u përgjigjën thirrjes për ndihmë.