Një histori e pazakontë ka tronditur autoritetet indiane dhe ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

Një shtetase ruse, Nina Kutina, u zbulua më 9 korrik duke jetuar me dy vajzat e saj të mitura në një shpellë në pyjet e rrezikshme të Gokarna-s, në shtetin jugor indian të Karnataka-s.

Zbulimi u bë rastësisht nga një inspektor policie gjatë një patrullimi rutinë në zonat me rrezik shembjeje dhe rrëshqitjesh dherash, ku kërkohej për turistë të mundshëm të bllokuar.

Ai vuri re një statujë të një hyjnie hinduiste që dilte nga gjelbërimi i dendur dhe më pas zbuloi hyrjen e mbuluar të shpellës me perde të improvizuara nga sari të kuq.

Brenda shpellës jetonte Nina Kutina, 40 vjeçe, së bashku me dy vajzat e saj, 4 dhe 6 vjeç. Ajo praktikonte yoga, meditonte me dritën e qirinjve dhe gatuante me zjarr druri.

Muret e shpellës ishin të mbuluara me fotografi të hyjnive hinduiste, shkruan The New York Times.

Megjithëse policia u përpoq ta bindte të largohej për shkak të rreziqeve nga gjarpërinjtë helmues dhe rrëshqitjet e dherave, Kutina deklaroi se ishte aty për të jetuar në paqe me natyrën dhe për të adhuruar Zotin.

Në fund, ajo dhe vajzat u shoqëruan në një strehë për gra, ku më vonë u transferuan në një qendër deportimi.

Autoritetet indiane janë në proces të deportimit të saj drejt Rusisë.

Hetimet zbuluan se Kutina kishte hyrë në Indi në vitin 2016 me vizë biznesi dhe kishte qëndruar më shumë se lejohej, përpara se të udhëtonte drejt Nepalit dhe më pas të rikthehej sërish në Indi në vitin 2020 me vizë turistike.

Ajo kishte katër fëmijë, dy prej të cilëve me të, një djalë që ka humbur jetën në aksident dhe një tjetër që është ende i zhdukur.