Universiteti i Tetovës e ka shpallur zyrtarisht Konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj në
ciklin e parë të studimeve për vitin akademik 2025/2026. Ky konkurs ofron dhjetëra programe
studimore në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tetovës.
UT ofron 3431 vende të lira , të ndara në kategorinë e kuotave shtetërore, bashkëfinancimit dhe
studimeve me korrespondencë.
Në këtë kuadër, maturantët dhe kandidatët e tjerë të cilët i plotësojnë kriteret e parapara, mund të
aplikojnë për regjistrim në një program studimor që ofron Universiteti i Tetovës.
Aplikimi dhe regjistrimi do të zhvillohen në tre afate , ndërkaq afati i parë do të realizohet prej 25
deri më 29 gusht 2025.
Kandidatët duhet ta plotësojnë formularin online në platformën:  application.unite.edu.mk  , dhe më
pas t'i dorëzojnë dokumentet në administratën përkatëse të fakulteteve, gjatë afateve të shpallura.
Për programet e caktuara, si ato të Fakultetit të Mjekësisë, Arteve, Kulturës Fizike, Arkitekturës dhe
Pedagogjisë, do të organizohet provim pranues për verifikimin e njohurive dhe aftësive të veçanta .
Universiteti i Tetovës garanton një proces transparent dhe të drejtë të përzgjedhjes, me komisione të
veçanta për çdo fakultet dhe program studimi, në përputhje me rregulloret dhe standardet e
përcaktuara.
Për më shumë informacione dhe detaje mbi programet studimore, dokumentacionin e nevojshëm,
tarifat dhe afatet e aplikimit, vizitojeni uebfaqen zyrtare të Universitetit të Tetovës:
www.unite.edu.mk