Një rezervist izraelit, i cili ka shërbyer më shumë se 300 ditë në Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta, ka kryer vetëvrasje pasi ka dëshmuar “skena të tmerrshme” gjatë luftës, thanë mediat lokale, transmeton Anadolu.

Radioja e Ushtrisë tha se Roi Wasserstein, 24 vjeç, i cili ka shërbyer në njësinë e evakuimit mjekësor të Brigadës së 401-të të Blinduar, i ka dhënë fund jetës së tij pasi ka ndarë vazhdimisht me familjen dhe miqtë mizoritë dhe përvojat e dhimbshme që ka përjetuar në enklavë. Ai ka përfunduar detyrën e tij të fundit si rezervist në fund të majit 2025.

Transmetuesi tha se ushtria nuk do ta njohë Wassersteinin si ushtar të rënë, pasi ai nuk ishte zyrtarisht në detyrë në kohën e vdekjes. Me vdekjen e Wassersteinit, numri i ushtarëve izraelitë që kanë kryer vetëvrasje vetëm këtë muaj është rritur në shtatë, raportoi e përditshmja izraelite “Haaretz”.

Mediat izraelite thanë se gati 50 ushtarë kanë kryer vetëvrasje që nga shpërthimi i luftës në Gaza në tetor 2023. Sipas të dhënave ushtarake, 898 ushtarë izraelitë janë vrarë dhe 6.134 janë plagosur që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023. Ushtria përballet me akuza të brendshme për fshehjen e humbjeve më të mëdha.

Ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë mbi 60.200 palestinezë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.

Të hënën, grupet izraelite të të drejtave “B’Tselem” dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut-Izrael akuzuan Izraelin për kryerje gjenocidi në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe rrënimin e qëllimshëm të sistemit të kujdesit shëndetësor në këtë territor.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavën palestineze.