Me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Fakulteti i
Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Këndin Amerikan në Tetovë, e
organizoi Turneun e Beach Volleyt, një aktivitet sportiv me karakter ndërkombëtar.
Turneu mblodhi ekipe dhe sportistë nga vendi dhe rajoni, përfshirë Shqipërinë, Kosovën,
Bullgarinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët krijuan atmosferë festive dhe dinamike në
këtë garë.
Nëpërmjet këtij aktiviteti, u promovuan vlerat universale të sportit, siç janë respekti, miqësia,
bashkëpunimi dhe liria, që përkojnë me frymën e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.
Turneu u shpall i hapur me një fjalë përshëndetëse nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr.
Jusuf Zejneli, i cili theksoi rolin e sportit si urë lidhëse mes popujve dhe rëndësinë e bashkëpunimit
ndërkombëtar në ndërtimin e miqësive të përhershme.
Pas disa ndeshjesh emocionuese, trofetë u ndanë për tre ekipet më të mira, si: vendi I për ekipin
nga Republika e Kosovës, i cili në finale e mposhti ekipin nga Republika e Serbisë me rezultat 2:0
në sete, vendi II për ekipin nga Serbia, ndërkaq vendi III i takoi ekipit nga Republika e Bullgarisë, i
cili triumfoi 2:1 ndaj ekipit të Universitetit të Tetovës. Në këtë ngjarje sportive, fituesve, referëve
dhe delegatëve iu ndanë çmime dhe mirënjohje për kontributin dhe korrektësinë e treguar gjatë
garës.
Në përmbyllje të aktivitetit, dekania e Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Shpresa Memishi, i
falënderoi të gjitha ekipet pjesëmarrëse për shpirtin sportiv dhe respektin e ndërsjellë që shfaqën
gjatë turneut. Ajo theksoi se qëllimi i këtij aktiviteti ishte që, nëpërmjet sportit, të urojmë popullin
amerikan për Ditën e Pavarësisë dhe të përcjellim mesazhin se festa, sporti dhe miqësia janë ura që
na bashkojnë.