Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar hetim të shpejtë e të thellë për zbardhjen e rastit të vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, në Komunën e Lipjanit, më 7 korrik.

Për rastin lidhur me të cilin dyshohen të përfshirë pesë policë, Kurti tha se anti-fushata ndaj Policisë është e dëmshme.

Sipas tij, nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për ata që kanë tejkaluar kompetencat apo kanë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare.

“Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve, shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e shtatë korrikut tashmë është publike edhe falë incizimeve të dëshmitarëve, por për të kuptuar gjithçka çfarë ka ndodhur duhet hetim profesional nga institucionet për këtë bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, inspektoratit policor, institutit të mjekësisë ligjore dhe prokurorisë është thelbësor. Pesë zyrtarë policorë tanimë janë në paraburgim. Unë kërkoj hetim të thellë dhe sa më të shpejtë që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia”, tha Kurti.

Tutje, Kurti komentoi edhe gjykimet publike rreth rastit.

Ai, tha se tendenca për një antifushatë ndaj Policisë së Kosovës është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje.

“Dua të bëj të qartë se nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare. Diskutimet publike që po bëhen dhe gjykimet publike janë veçanërisht të vështira për familjen Zejnullahu dhe miqtë e të ndjerit. Në të njëjtën kohë tendenca që të nis një antifushatë ndaj Policisë së Kosovës është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje”, shtoi Kurti.

Kurti, gjithashtu në emër të kabinetit qeveritar, ka shprehur ngushëllime edhe për familjen Lima, pasi që dje Kaçun Lima komandanti i togut të zjarrfikësve në Gjakovë, ka humbur jetën gjatë detyrës së tij teksa ishte rrugës për të shërbyer.

Kurti u shpreh se “Lima do të kujtohet gjithmonë për vetëmohimin e çdo dite të punës e përkushtimin e lartë ndaj detyrave zyrtare”.